VIDEO CONFERENCE

Foto: KOK
Një numër i Federatave, e gatshme për vazhdim të garave
1 May, 2020 @0:58
Krerët e Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK) kanë mbajtur të enjten një video takim me krerët e federatave sportive ët Kosovës.
KOK ka bërë të ditur se një numër i konsiderueshëm i federatave sportive janë shprehur të jenë të gatshme për vazhdim të garave.
Në video-konferencën e ditës së fundit të prillit të vitit 2020 morën pjesë përfaqësues të 21 federatave të sportieve të Kosovës.
“U diskutua po ashtu për fillimin e lehtësimit të masave nga Qeveria e Kosovës ku disa sporte si tenisi, pingpongu, volejbolli në rërë, automobilizmi, badmintoni, bjeshkataria alpiniste, boulingu e minigolfi, u shprehën të gatshme të fillojnë aktivitetet e tyre prej 4 majit. Kurse sportet tjera si basketbolli, volejbolli, peshëngritja, boksi mund të fillojnë me aktivitete pas fazës së dytë ose të tretë të lehtësimit të masave”, ka bërë të ditur KOK-u në njoftimin e publikuar pas takimit.
Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se aktivitetet sportive do të mund të rifillojnë gradualisht prej datës 1 qershor, ku është thënë se do të nis hapja selektive e aktiviteteve sportive.
Derisa Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka përfunduar stinorin në garat elite të saja, Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të saj ka bërë plan që të nis garat në fund të majit, me ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, për të vazhduar me Superligën në qershor.
KOK në fund ka bërë të ditur se është përcaktuar edhe video-konferenca e ardhshme, kur federatat do të mblidhen pas dy jave për të shqyrtuar situatën me COVID-19 dhe mbarëvajtjen e garave sipas planit të federatave.