FRANCE 2017 - DITA 3
Pa befasi kalon dita e dytë
13 January, 2017 @11:33
Në ditën e dytë të Kampionatit Botëror që po zhvillohet në Francë, nuk ka pasur befasi.
Favoritët i kanë fituar ndeshjet e tyre përkatëse, duke e treguar forcën dhe seriozitetin që në fillim.
Takimi më interesant dje u zhvillua mes Polonisë e Norvegjisë, ku në fund triumfoi skuadra skandinave me rezultat 22-20. Pjesa e dytë u mbyll me rezultat të barabartë, mirëpo epërsia dy golëshe e krijuar pas pjesës së parë, doli të ishte vendimtare për Norvegjinë, e cila edhe ishte favorite për ta fituar këtë takim. Gjithashtu, duhet përmendur paraqitja fenomenale e hendbollistit Kristian Bjornsen, i cili edhe u shpall MVP i takimit.
Përballja interesante mes Maqedonisë e Tunizisë u mbyll me fitoren e ballkanasve, të cilët sivjet kanë një skuadër mjaft të fortë. Te përfaqësuesja e Maqedonisë ra në sy lojtari Kiril Lazarov, i cili takimin e mbylli me plot 12 gola të shënuara. Në takimet tjera, Rusia fitoi pa probleme ndaj Japonisë ku u dalluan Atman, Dibirov & Shishkarev me nga 6 gola të shënuara, Sllovenia ndaj Angolës dhe Spanja ndaj Islandës.
Rezultatet e ditës së djeshme (12 janar):
Dita e sotme pritet të jetë gjithashtu një ditë e lehtë për favoritët. Një nga ndeshjet që mund të jetë interesante është ajo mes Katarit dhe Egjiptit. Kampioni i Azisë luan ndaj kampionit të Afrikës, ndërsa të dyja përfaqësueset vijnë pas një Olimpiade zhgënjyese. Katari, që është ‘braktisur’ nga lojtarët e natyralizuar që i kishte nga vende të ndryshme të Evropës, mbetet favorit në këtë takim.
Në takimet tjera, priten fitore të lehta të Francës ndaj Japonisë, Bjellorusisë ndaj Kilit, Gjermanisë ndaj Hungarisë, Suedisë ndaj Bahrejnit, Kroacisë ndaj Arabisë Saudite dhe Danimarkës ndaj Argjentinës.