PRISHTINA FITON DERBIN NDAJ TREPÇËS
Prishtina i jep fund dominimit të Trepçës në derbi!
6 October, 2024 @19:40
Pas 13 ndeshjeve në të gjitha garat për dy stinorë, Prishtina ka arritur të shënojë fitoren e parë ndaj Trepçës! Bardhekaltërit janë treguar më të mirë në përballjen e pasditës së sotme, ndërsa kanë fituar duelin në fund, që për disa minuta u ndërpre, me rezultat: Trepça - Prishtina 76-82.
Pjesa e parë e ndeshjes është treguar vendimtare! Prishtina në periudhën e parë dhe të dytë shtoi avantazhin aq, sa për të shkuar në pushim me 17 pikë dallim (15-25, 19-26). Në pjesë të dytë përkundër se Trepça fitonte çerekët (21-17, 21-14) dhe tërë disavantazhin e uli deri në 4 pikë, nuk arriti që në momentet e fundit të bëj shkrirjen dhe në fund, u mposhtë me 6 pikë dallim.
Jalen Moore me 22 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i Prishtinës në ndeshje, ndërsa duelin e ka kompletuar edhe me 7 asistime e 3 kërcime. Me 16 pikë, 3 asistime e 6 kërcime ka luajtur Josh Nzeakor, ndërsa 14 të tjera ka shtuar Rashad Williams.
Te vendasit sonte me pikë të shënuara është dalluar Desmond Cambridge, 17. Ndërsa afër tij kanë qenë edhe Sam Hunter me 16 dhe Malik Johnson me 15 të shënuara.
Për Prishtinën kjo ka qenë fitorja e tretë sezonale, pas disfatës në xhiron e parë të stinorit dhe tashmë kanë bilancin 3-1. Ndërsa Trepça ka pësuar humbjen e dytë radhazi, ku pas Bashkimit në xhiron e kaluar tashmë kanë regjistruar edhe humbjen e dytë dhe ekipi ka bilanc 2-2. Për regjistër, ndeshja u ndërpre për rreth 2-3 minuta kur kishin mbetur edhe 5 sekonda deri në fund të ndeshjes, pasi që publiku vendas hudhi gjësende në drejtim të lojtarëve mysafir. Një pjesë e publikut u desht të largohej nga palestra, për të vazhduar sekondat e mbetura dhe për të përfunduar ndeshja.