BORA VAZHDON ME FITORE!

Foto: BoraBasketball/ fb
Fitorja e tretë në katër ndeshjet e fundit, Bora i afrohet mundësisë për playoff!
2 March, 2025 @23:38
Ka vazhduar forma e mirë e skuadrës debutuese në Superligë së fundi dhe ekipi prishtinas ka dalë triumfues edhe këtë xhiro, duke shënuar fitore të rëndësishme ndaj Yllit në “13 qershori” të Suharekës.
Ekipi i Borës ka mposhtur Yllin krejt në fund të ndeshjes, 67-73, një xhiro pasi që befasoi kampionen aktuale dhe lideren e Superligës, Trepça. Kjo ka qenë fitorja e tretë në katër xhirot e fundit për Borën e drejtuar nga Danilo Rakocevic dhe tashmë ekipi i është afruar edhe mundësisë për playoff!
Dion Haxhosaj sonte ka shkëlqyer te Bora, duke kryer ndeshjen me double-double pasi shënoi 17 pikë e bëri 10 kërcime në fitore. Alex Lomax dha 11 pikë, ndërsa nga 10 pikë shënuan Desmond Cambridge dhe Adem Mekic.
Performanca e Derrick Wilsonit nuk mjaftoi për Yllin! 24 pikët e tij dhe 5 asistimet, bashkë me 13 pikë të tjera të Jan Palokajt sonte nuk kryen punë për suharekasit që tashmë rrezikojnë playoffin.
Derisa Ylli është i gjashti në tabelë me bilanc 9-13, Bora e shtata në renditje arrin te bilanci 8-14! Deri në fund të stinorit të rregullt kanë mbetur vetëm edhe gjashtë xhiro! Vendi i gjashtë siguron biletë për çerekfinale të playoffit, kurse i shtati mundëson shpëtimin në Superligë përmes playoutit. Gjithçka e hapur në Superligë deri në fund.