Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA I KTHEHET FITORES

Peja fiton dhe barazon bilancin dhe pikët me Vëllaznimin!

Foto: KBPeja/ fb

Peja fiton dhe barazon bilancin dhe pikët me Vëllaznimin!


1 March, 2025 @23:09

Pas katër humbjeve radhazi, Peja i është kthyer fitores duke e mposhtur sonte Vëllaznimin në “Karagaç” në një ndeshje me pak pikë të shënuara. Për verdhezinjtë vendas kjo ka qenë fitore e rëndësishme për të barazuar bilancin me Vëllaznimin në 2-2 në ndeshje të ndërsjella, por gjakovarët në duele të barabarta me dallim pikësh janë më mirë se Peja!

Fitorja e Pejës erdhi me rezultat 64-59 në një ndeshje shumë të ngushtë me rezultat, ndërsa me këtë triumf të dyja skuadrat bëhen me bilancin 11-11 pas xhiros së parë të ciklit të katërt të Superligës.

Për tu përmendur se 8.6 sekonda para fundit të ndeshjes gjatë epërsisë së Pejës 61-59, Trey Anderson provoi për tre pikë, e referët vazhduan lojën derisa gjakovarët kërkuan faull në atë pozitë gjatë shutit të lojtarit të tyre. Jeronimo Sarin u ndëshkua me teknike në këtë rast, për protesta, ndërsa pikët e rezultatit final i shënoi Arti Hajdari nga gjuajtjet e lira për fitoren e pejanëve me 5 pikë dallim.

TABELA AKTUALE

Arti Hajdari dhe Tulio da Silva kryen ndeshjen me double-double. Kapiteni i pejanëve luajti me 14 pikë e 10 kërcime, ndërsa braziliani me 12 pikë e 10 kërcime.

Darryl Morsell luajti me 9 pikë e 5 kërcime, kurse Marques Townes gjithashtu i ardhur para ciklit të fundit të ndeshjeve shënoi 10 pikë, 5 asistime e 3 kërcime në këtë fitore të ngushtë të pejanëve.

Vëllaznimi nuk arriti kësaj radhe të mposhtë Pejën, kurse lojtari më efikas i tyre sonte ishte Trey Anderson me 19 pikë. Jericole Hellems shënoi 12 pikë, 3 asistime e 6 kërcime. Arbër Sinani që dha 5 pikë, bashkë me Hellemsin përfunduan ndeshjen më herët për shkak të 5 personaleve.

DUELET E NDËRSJELLA TË STINORIT 2024/25:


Vëllaznimi-Peja 73-65
Peja-Vëllaznimi 75-68
Vëllaznimi-Peja 83-69
Peja-Vëllaznimi 64-59.

 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga