E PARA NË HISTORI NDAJ MITROVICASVE!

Bora befason Trepçën
27 February, 2025 @23:35
Skuadra debutuese në Superligë që po lufton për sigurimin e mbijetesës aty, Bora, ka bërë befasi të madhe sonte në “1 tetori” duke i shkaktuar humbje kampiones dhe lideres së deridjeshme të Superligës, Trepça.
Ekipi i drejtuar nga malazezi Danilo Rakocevic ka shënuar fitore minimale, pas luftës së madhe ndaj mitrovicasve, për të fituar ndeshjen 89-88. Kjo ka qenë fitorja e parë kampionale, por edhe historike e Borës ndaj Trepçës në përballje direkte ndonjëherë.
Pas një topi të rrëmbyer, kur mbetën edhe 26 sekonda deri në fund të ndeshjes, Bora shënoi pikët për avantazhin përfundimtar 89-88, pasi që Desmond Cambridge Jr (ish-lojtar i Trepçës) nguliti! Në 22 sekondat e fundit për sulmin e fundit Trepça tentoi me Michael Myersin nga afërsia, por topi i tij u rrotullua në rreth të koshit dhe nuk hyri.
Gëzim i madh te tabori vendas që arriti fitore të madh, pas çerekut të tretë tepër të mirë 33-20, ndërsa ai i fundit me 23-31 mjaftoi për të fituar ndeshjen!
Alex Lomax ka pas performancë fenomenale te Bora sonte. Ai bëri double-double, duke dhënë 25 pikë, 12 asitime e 7 kërcime. Me 23 pikë ndeshjen e kreu Derrick Woods i ardhur së fundi te Bora. Pos tyre, asnjë lojtar tjetër nuk dha pikë dyshifrore te prishtinasit, ndërsa me 8 pikë të shënuara lojën e përfunduan, Desmond Cambridge Jr., Rinor Memedi dhe Jetmir Zeqiri.
Tekele Cotton me 21 pikë ishte më efikasi te Trepça. Michael Myers kreu lojën me double-double prej 16 pikësh e 12 kërcimesh, ndërsa 15 të tjera i dha Mikaile Tmusic.
Me fitoren e shtatë sezonale, Bora bën hap të madh në luftë për mbijetesë. Prishtinasit tash kanë bilanc 7-14! Trepça me këtë humbje, humb edhe lidershipin, pasi që pësoi për herë të shtatë këtë stinor dhe tash qëndron në pozitë të dytë me bilanc 14-7.