EDHE BASHKIMI PËRFORCOHET

Për ciklin e fundit, Dirk Williams përforcimi i ri i Bashkimit
24 February, 2025 @21:49
Basketbollisti amerikan, 31-vjeçar Dirk Williams është përforcimi i ri i Bashkimit. Ekipi prizrenas, që kishte nisur në mënyrë perfekte stinorin duke shënuar rekord të klubit në ciklin e parë të Superligës, ka bërë të ditur se ka angazhuar në radhët e veta lojtarin e pozitave 2-3, 196-centimetra të gjatë.
Së fundi, Williams ka luajtur për ekipin izraelit Hapoel Eilat, ku ka pasur mesatre prej 31.9 minutash për ndeshje, duke shënuar 15.9 pikë, 2.4 asistime dhe 7.1 kërcime për lojë. Para kësaj, ai ka luajtur për ekipin francez Chalon, ndërsa nga stinori 2022/23 e prapa, ka qenë pjesë e ekipeve angleze, si Manchester Giants, London Lions e Sheffield Sharks.
Amerikani në fjalë llogaritet si shuter i mirë i tre pikëve, ndërsa mesataren e fundit me ekipin izraelit e ka pasur 38.8% saktësi, ku në total gjatë këtij stinori ka shutuar me precizitet 57/147.
Bashkimi pas XX xhirove në Superligë ka bilanc 14-6, njëjtë sikurse liderja Trepça. Portokallezinjtë po shikojnë mundësinë që në ciklin e ndeshjeve të fundit të elitës, të sigurojnë njërën nga dy pozitat e para, që ua siguron biletën direkte për gjysmëfinale të playoffit.
Këtë muaj, Bashkimi luajti edhe finalen e Kupës së Kosovës, por ekipi i trajnerit Sasa Jankovic nuk arriti t’i bëj ballë pikërisht Trepçës, duke u mposhtur në çerek të fundit për të humbur trofeun.