Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

FITORJA VENDIMTARE, NUK ERDHI

Zgjim i vonshëm, Kosova eliminohet nga parakualifikimet për Botëror

Fotot: FIBA

Zgjim i vonshëm, Kosova eliminohet nga parakualifikimet për Botëror


23 February, 2025 @20:27

Ka marrë fund misioni i Kosovës drejt rrugëtimit për Botërorin e vitit 2027 në basketboll. “Dardanët” nuk kanë arritur të dalin nga Grupi A parakualifikues i zonës evropiane për Botëror, duke përfunduar në vend të tretë të grupit, pasi që sonte në ndeshjen vendimtare janë mposhtur nga Zvicra, që kishte siguruar kualifikimin më parë.

Kosova e drejtuar nga Jean-Denys Choulet nuk nisi mirë ndeshjen, ndërsa pjesa e parë përfundoi me rezultat 30-46 në të mirë të helvetëve, që kishin disa mungesa në rosterin e tyre. Pjesa e dytë nisi më mirë për Kosovën, ndërsa angazhimi i madh i lojtarëve në çerek të tretë dhe të katërt, dha rezultat 43-35, por jo mjaftueshëm sa për të fituar ndeshjen, që përfundoi me rezultat, 73-81.

Dardan Berisha tregoi cilësinë e tij edhe njëherë, luftën prej një kapiteni. Shënoi 20 pikë bëri 2 asistime e 2 kërcime në ndeshje, ndërsa i natyralizuari Divine Myles dha 16 pikë, 4 asistime e 3 kërcime në këtë ndeshje.

Me 10 pikë ndeshjen e përfundoi Lis Shoshi, kurse Dardan Kapiti shënoi 5 pikë dhe bëri 11 kërcime në duel.

Te Zvicra, treshja Yoan Granvorka, Paul Gravet dhe Dylan Ducommun ishin kryesorët. I pari dhe i dyti dhanë nga 20 pikë, kurse i treti 21 në fitore. Granvorka bile bëri edhe 10 kërcime për tu bërë lojtari i vetëm në ndeshje që kreu lojën me shifra double-double.

Zvicra përfundoi grupin në mënyrë perfekte, duke fituar secilin kundërshtar dy herë për bilanc përfundimtar që u siguroi kualifikimin tutje me 6-0! Edhe selektori i tyre Ilias Papatheodorou shprehu gëzimin e tij me lojtarët dhe disiplinën e tyre të treguar, kurse pas ndeshjes theksoi edhe ngritjen e basketbollit zviceran, pasi që shumë të rinj provuan ndeshjet zyrtare sonte.

Në anën tjetër selektori francez i Kosovës, Choulet theksoi faktin që lojtarët nuk dhanë angazhim të mjaftueshëm në pjesë të parë. Ai tregoi qartë se po të luanin lojtarët sikurse në pjesë të dytë, fitorja dhe kualifikimi do të ishin të mundshëm.

“Nuk e nisëm mirë ndeshjen. Ishim tepër të butë. Disa herë u fola për mbrojtje dhe angazhim. E kur këtë e bëmë në pjesë të dytë ishim afër, por atëherë ishte vonë për të ndryshuar rezultatin,” tha ndër të tjera Choulet pas ndeshjes, dukshëm i mllefosur me mosangazhim 40-minutësh të disa lojtarëve të tij.

Sa i përket statistikave, Kosova shutoi me 29.63 për qind për tre pikë sonte, karshi helvetëve që kishin saktësi 40.74 për qind. “Dardanët” shënuan 11 nga 19 gjuajtjet e lira të fituara, ndërsa zviceranët 12 nga 17, që çoi saktësinë e këtyre të fundit në 70.59 për qind për një pikë.

Për parakualifikimet, të ndara në tre grupe ku vetëm fituesit kishin të garantuar kalimin tutje dhe një pozitë e dytë, nga Grupi A atë e siguroi Zvicra, nga Grupi B Rumania kurse nga Grupi C Austria. Si vend i dytë më i mirë tutje shkoi Norvegjia, që luante në Grupin B.

TABELA PËRFUDIMTARE E GRUPIT A:

1. Zvicra 6-0
2. Irlanda 3-3
3. Kosova 2-4
4. Azerbajxhani 1-5.

*Vetëm Zvicra, si fituese e grupit, është kualifikuar në fazën tjetër të garave kualifikuese.

REZULTATET E KOSOVËS NË GRUPIN A:


Parakualifikimet për Botërorin 2027, Zona Evropë:

22 shkurt 2024, Kosova-Irlanda 83-76
25 shkurt 2024, Azerbajxhani-Kosova 87-77
21 nëntor 2024, Zvicra-Kosova 75-43
24 nëntor 2025, Irlanda-Kosova 91-85
20 shkurt 2024, Kosova-Azerbajxhani 81-79
23 shkurt 2024, Kosova-Zvicra 73-81.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga