SUPER SERIA E PRISHTINËS, VAZHDON

Foto: KBPrishtina/ fb
7 në 7, Prishtina e pandalshme
14 February, 2025 @23:05
Ka ardhur edhe fitorja e shtatë e Prishtinës në shtatë ndeshjet e vitit 2025. Ekipi i drejtuar nga Murat Bilge, përkundër se vështirë, është përbiruar edhe sonte në çerek të fundit për të përmbysur Vëllaznimin dhe për të arritur te fitorja.
Kjo fitore, ka bërë që Prishtina të regjistrojë edhe fitoren e shtatë në të shtatën ndeshje të këtij viti në Superligë, ndërsa bardhekaltërit mposhtën kuqezinjtë me 8 pikë dallim, 85-77.
Dallimi në ndeshje u bë në çerek të fundit, kur Prishtina furishëm sulmoi dhe e mori atë 27-14 për të shkrirë epërsinë e gjakovarëve të drejtuar nga Jeronimo Sarin dhe për të fituar ndeshjen.
Josh Nzeakor me 17 pikë ka qenë më efikasi te Prishtina, ndërsa me double-double ndeshjen e kreu Rasid Mahalbasic, që shënoi 16 pikë e bëri 10 kërcime në fitore. Me 14 pikë, 7 asistime e 7 kërcime ndeshjen e kreu Daniel Lekndreaj.
Te Vëllaznimi Jericole Hellems ka qenë koshashënues më i mirë. Ai dha 19 pikë dhe bëri 2 asistime e 5 kërcime. Me 17 pikë luajti Trey Anderson, ndërsa 10 të tjera i dha qendra Jason Jitoboh. Këtij të fundi i mungoi një kërcim për të kryer duelin me double-double.
Në fund, Prishtina me këtë fitore përforcon vendin e tretë në tabelë dhe tashmë është në bilanc 13-8 pas ecurisë 7-0. Vëllaznimi ka pësuar disfatën e dhjetë sezonale dhe për momentin është i katërti në tabelë me bilanc 11-10.
“Prishtina u tregua shumë më e mençur në çerek të fundit dhe falë përvojës fitoi ndeshjen. Ne e humbëm fokusin në fund!” tha trajneri i Vëllaznimit Jeronimo Sarin pas disfatës.
Kurse sa i përket trajnerit të Prishtinës, si rrallëherë i buzëqeshur Bilge tha se duhet që ekipi të luajë për 40 minuta si tre minutat e ndeshjes së sotme.
“Ndonjëherë po e humbim fokusin, ndonjëherë po gabojmë, por duhet të luajmë për 40 minuta lojë sikurse këto tre minutat e fundit të ndeshjes së sotme,” tha timonieri turk i bardhekaltërve pas fitores.