Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KUPA, PËRSËRI E TREPÇËS

Poker kupash! Trepça mbron trofeun duke mposhtur Bashkimin

Fotot: FBK

Poker kupash! Trepça mbron trofeun duke mposhtur Bashkimin


12 February, 2025 @22:00

Fituesja e rregullt e tre viteve të fundit të Kupës së Kosovës, Trepça, ka mbrojtur trofeun edhe këtë stinor, për të fituar Kupën e Kosovës për herë të katërt me radhë!

Ekipi mitrovicas i drejtuar nga Adis Beciragic, që tashmë është dëshmuar si trajneri më i mirë i huaj në basketbollin kosovar edhe me trofe, ka fituar të mërkurën mbrëma në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” duelin final ndaj Bashkimit të Prizrenit me rezultat 85-79.

Me këtë fitore, Trepça në total ka ngritur numrin e kupave të fituara në tetë, prej të cilave katër janë në katër vitet e fundit!

Në atmosferë të jashtëzakonshme basketbolli, të krijuar bukur nga tifozët e të dyja palëve, finalja ka kaluar si një ndeshje e nivelit të lartë në përgjithësi, duke mos pasur asnjë incident, kurse sa i përket lojës së treguar pas tre periudhave të lojës, gjithçka ishte thuajse e barabartë.

Dallimi u bë në çerekun e fundit të lojës, ku me start të mirë hyri në 2 minutëshin e fundit të lojës me 15 pikë dallim, 85-70. E minutat e fundit kaluan sa për të thënë, pasi që Bashkimi më 10-minutëshin e fundit u shkëput plotësisht nga loja për të arritur vetëm zbutjen e humbjes dhe mbetjen me një kupë të vetme në vitrina, atë të vitit 2001!

Tekele Cotton ka qenë më i miri te Trepça në këtë finale, duke treguar performancë të lartë të përgjithshme. Ai dha 18 pikë, bëri 3 asistime e regjistroi 5 kërcime bashkë me 4 topa të vjedhur në fitore.

Me 18 pikë ndeshjen e kreu edhe Michael Green. Ky shutoi 4/9 për tre pikë, ndërsa bëri edhe 3 asistime e 4 kërcime në fitore. Reprezentuesit Mikaile Tmusic dhe Drilon Hajrizi dhanë nga 15, përkatësisht 10 pikë. Tmusic bëri edhe 2 asistime e 1 kërcim, kurse Hajrizi nga 2 prej secilës.

Wendell Green ishte më efikasi në ndeshje, por 30 pikët e tija nuk mjaftuan për të afruar Bashkimin te kupa aq e kërkuar nga tabori i portokalltë në këtë finale. Ekipi i drejtuar nga Sasa Jankovic përkundër luftës së madhe dhe të barabartë të treguar në 30 minutat e ndeshjes, ku në çerekun e fundit hynë me rezultat 63-60, nisi çerekun vendimtar të ndeshjes dobët dhe humbi gjithçka kah fundi i ndeshjes!

Green bëri edhe 5 asistime e 4 kërcime, ndërsa me 14 pikë lojën e kreu Lejson Zeqiri e 13 të tjera i dha Jayveous McKinnis që bëri edhe 15 kërcime për tu bërë lojtari i vetëm i ndeshjes finale me double-double. Mosfunksioni i vendorëve tjerë në ndeshje, bëri të veten në fund te prizrenasit.

Trepça festoi shumë në fund, ndërsa Drilon Hajrizi edhe lotoi pas triumfit kur kujtoi se muaj më parë ishte në gjendje aspak të mirë shëndetësore e tashmë - festonte me më të dashurit e tij triumfin.

FITUESIT E KUPAVE, SIPAS SASISË:

15—Prishtina,
8—Trepça,
6—Peja,
2—Vëllaznimi,
1—Bashkimi.

Për tu theksuar si statistikë, që nga triumfi i parë i Kupës në vitin 2001, Bashkimi ka zhvilluar edhe shtatë finale këtë çerek-shekull dhe të gjitha i ka humbur, katër nga Prishtina (2002, 2003, 2014, 2018), dhe tre nga Trepça (2012, 2022, 2025).

 

 

*Trofeun e dorëzuan Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

MVP i finales u shpall Mikaile Tmusiq, çmim që u nda nga zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani.

Medaljet e argjendta i ndan Artan Kurti, nënkryetar i FBK-së dhe Valton Bilalli, anëtar i Bordit të FBK-së.

Medaljet e arta i kanë ndarë Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe anëtarja e Bordit të FBK-së, Linda Shala. 


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga