NË PRIZREN

Bashkimi me përforcim para finales, Au’Diese Toney zyrtarizohet
6 February, 2025 @23:15
Finalja e Kupës së Kosovës luhet më 12 shkurt në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” në Prishtinë, ndërsa Bashkimi do të ndeshet me Trepçën aty. Sonte, ekipi prizrenas që drejtohet nga Sasa Jankovic ka zyrtarizuar edhe një lojtar të huaj në ekip, duke bërë të ditur se ka nënshkruar me amerikanin Au’Diese Toney!
“Jemi të lumtur të njoftojmë se Au’Diese Toney është lojtari më i ri i KB Bashkimi!” — shkroi KB Bashkimi në njoftim.
Toney është 25 vjeçar ndërsa së fundi këtë stinor ka qenë pjesë e ekipit grek, Kolossos. Ai luan në pozitën 1, të playmakerit. Gjithashtu, këtë stinor ka zhvilluar tre ndeshje edhe në Basketball Champions League!
“Në sezonin e fundit, ai ishte pjesë e Kolossos H Hotels Rodou në Greqi (GBL), duke sjellë përvojë të vlefshme nga një ligë e fortë evropiane dhe Champions League,” — bëri të ditur klubi portokallezi.
Sa i përket stasistikave të tij, ai ka pasur mesatarisht 19.3 minuta për ndeshje te Kolossos, duke shënuar 7.3 pikë për ndeshje, 0.7 asistime dhe 3.7 kërcime. Ai ka edhe 0.7 rrëmbime topi për ndeshje.
Kolossos është pjesë e elitës së basketbollit grek, ndërsa aktualisht është në pjesën e poshtme të tabelës me bilanc 4-13.