PRIZRENASIT NË FINALE!

Fotot: FBK
Bashkimi eliminon Vëllaznimin dhe arrin finalen e Kupës së Kosovës
30 January, 2025 @20:41
Në një ndeshje mjaft interesante dhe me dramë në secilin moment në fushë të lojës, Bashkimi ka arritur që të shënojë fitore me rezultat të mjaftueshëm për të përmbysur epërsinë 9 pikëshe të Vëllaznimit nga ndeshja e parë dhe për të siguruar biletën për finalen e Kupës së Kosovës, duke i eliminuar gjakovarët.
Bashkimi fitoi ndeshjen me rezultat 90-73 dhe arriti finalen e Kupës.
Ndeshja që prej fillimit tregoi se do të jetë mjaft dramatike! Bashkimi e nisi me 9-0, për tu kthyer Vëllaznimi më pas në lojë dhe për të mbyllë pjesën e parë në epërsi, 35-41! Në pjesë të dytë Bashkimi nisi rikthimin.
Momentet
Në atmosferë të jashtëzakonshme në “Sezai Surroi” ku salla ishte plotësisht e mbushur me publik, pjesa e dytë nisi më mirë për prizrenasit të cilët dalëngdalë filluan të përmbysin epërsinë e Vëllaznimit dhe të kërkojnë avantazhin minimal prej 10 pikëve sa i nevojitej për të shkuar në finale.
E në çerekun e fundit Bashkimi shtoi epërsinë dhe siguroi finalen pak minuta para fundit.
Mungesa e Arian Azemit, që u përjashtua për teknike - ishte fatale për Vëllaznimin nga ana e lojtarëve vendor, ndërsa humbjes së gjakovarëve i kontribuoi edhe mos-shënimi i mjaftueshëm i gjuajtjeve të lira, ku Vëllaznimi dha 16 sosh prej 27 tentimeve!
Bashkimi në anën tjetër dha 27 prej 33 gjuajteve të lira, kurse për treshe “snajperët” funksionuan, ku shuti i përgjithshëm shkoi me saktësi të madhe prej 46% [13/28].
Akterët kryesorë
Lejson Zeqiri shënoi 22 pikë, duke shutuar 4/5 për tri pikë. Ai realizoi edhe 5 kërcime në fitore, duke dalë nga ndeshja në minutën e fundit të lojës për shkak të 5 gabimeve personale. 19 pikë i dha Wendell Green, bashkë me 5 asistime, ndërsa nga 11 sosh shënuan Valon Bunjaku e Mack Smith. Smith regjistroi edhe 5 asistime e 8 kërcime.
22 pikët e Jericole Hellemsit nuk mjaftuan. Ai bëri edhe 3 asistime e 5 kërcime, për të dalë në momentet e fundit nga ndeshja për shkak të një lëndimi, që shpresohet të jetë i lehtë. Pos tij vetëm edhe Trey Anderson ka dhënë pikë dyshifrore te ekipi i drejtuar nga Jeronimo Sarin. Anderson kreu lojën me 17 pikë!
Finalet dhe finalja
Dy herë fitues i Kupës, në basketbollin e pavarur të paraluftës, Vëllaznimi nuk ka arritur asnjëherë në periudhën pas-lufte në finale të Kupës! Kjo ishte hera e parë për kuqezinjtë që ishin afër të luftojnë për një trofe të madh në Kosovë në finalen e parë të tyre në të gjitha garat e nivelit elit të Kosovës! Por, nuk e arritën.
Bashkimi ka pasur katër finale të humbura prej se fitoi për herë të parë dhe të fundit Kupën e Kosovës, në stinorin 2000/01! Herën e fundit, Bashkimi finale të Kupës ka luajtur në stinorin 2021/22 në “Karagaç” ku u mposhtë nga Trepça!
Trajneri i ri i Bashkimit, Sasa Jankovic pas ndeshjes tha që beson në fitore në finale. E, kësaj radhe - mundësia paraqitet përsëri, kurse Trepça e Bashkimi do të takohen në finalen e madhe që luhet në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” të Prishtinës më 12 shkurt, ku skuadrat në fjalë do të luftojnë për trofeun e parë të vitit 2025!