PREJ INFORMATORIT NR. 19

Foto: KBBashkimi/ fb
Treshja e gjyqtarëve dhe vëzhguesi i ndeshjes Ylli-Bashkimi dënohen nga KG
29 January, 2025 @11:16
Në raportin e Informatorit Nr. 19 të Superligës që i përket xhiros XIX të ndeshjeve të luajtura në fundjavën që e lamë pas, Komisioni i Garave ka bërë të ditur se ka dënuar gjyqtarët dhe vëzhguesin e ndeshjes Ylli-Bashkimi.
Kjo ndeshje u luajt të shtunën mbrëma në “13 qershori” të Suharekës, ndërsa Bashkimi triumfoi në këtë duel me 10 pikë dallim, 60-70, për të ruajtur kreun e tabelës së klasifikimit të Superligës.
“Artan Gashi, Genc Vitaku dhe Arian Kurtalani (treshja e gjyqtarëve në ndeshjen Ylli - Bashkimi) në përputhje me nenin 53.11 për shkak të mos zbatimit të PG/ rregullave zyrtare të lojës, ndëshkohen me dy ndeshje mos delegim në tempon e Kupës dhe kampionatit,” ka shkruar në njoftim.
Gjithashtu, edhe vëzhguesi është dënuar!
“Albert Vërbiqi (vëzhgues i ndeshjes Ylli - Bashkimi) në përputhje me nenin 53.1 lidhur me nenin 13.3 për shkak të mos zbatimit të PG/ rregullave zyrtare të lojës, ndëshkohet me dy ndeshje mos delegim në tempon e Kupës dhe kampionatit,” ka bërë të ditur Informatori përkatës.
Nga kjo ndeshje, janë dënuar edhe Egzon Fetiu (Ylli) me 300 euro për shkak të gabimit teknik (banka e Yllit, 2 gabime teknike), sikurse edhe Ales Pipan (Ylli) me 300 euro. Ky i fundit i është shënuar trajnerit për shkak të gabimit diskualifikues të zyrtarit Fetiu.
Përndryshe, Bashkimi pas XIX xhirosh është lider i Superligës me bilanc 14-5, kurse Ylli i gjashti në renditje me bilanc 6-13, ndërsa me trajnerin e ri Pipan, ka 1 fitore e 1 humbje.