GJAKOVARËT FITOJNË DHE SHËNOJNË REKORD!

Foto: KBVëllaznimi/ fb
Vëllaznimi thyen dy rekorde të stinorit në fitore ndaj Prizrenit
23 January, 2025 @20:42
Fitore e lehtë për Vëllaznimin ka ardhur sonte në ndeshje ndaj ekipit të fundit në renditje, Prizrenit. Ekipi gjakovar ka shënuar fitore, duke shënuar dy rekorde të stinorit në Superligë, derisa triumfoi me rezultat 111-86 ndaj bardhezinjëve mysafirë.
Vëllaznimi kontrolloi ndeshjen prej fillimit deri në fund, ndërsa në një moment ka pasur dallim prej 36 pikësh ndaj kundërshtarit. Me 111 pikë të shënuara Vëllaznimi u bë ekipi që ka shënuar më së shumti pikë për një ndeshje të stinorit, ndërsa duke shënuar për të tretën herë mbi 100 pikë në ndeshje, është bërë ekipi që ka kaluar më së shumti barrierën treshifrore këtë stinor.
Nga 22 pikë në fitore kanë shënuar Antwan Walker (4/5 për tre pikë) dhe Trey Anderson (3/5 për tre pikë), ndërsa me 18 pikë është dalluar Jericole Hellems. Ky i fundit kreu lojën me double-double, duke bërë edhe 3 asistime e 10 kërcime në fitore.
Prizreni në anën tjetër është ekipi që ka pranuar më së shpeshti 100 e më shumë pikë në ndeshje këtë stinor, kurse nga individët në ekip, koshashënues më i dalluar ka qenë Tervell Beck me 23 të shënuara.
Vëllaznimi me këtë fitore mbyllë xhiron në pozitë të katërt me bilanc 10-8, ndërsa Prizreni thellon krizën dhe bëhet me 4-14! Me 10 fitore e 8 humbje janë tre ekipe aktualisht në tabelë, Peja e treta, Vëllaznimi i katërti dhe Prishtina e pesta!