PRIZRENASIT RRESHTOJNË FITORET NË 2025

Foto: KBBashkimi/ fb
Bashkimi mposhtë Borën dhe rikthehet në krye të renditjes
22 January, 2025 @22:53
Bashkimi ka marrë lidershipin e Superligës përsëri, duke e mposhtur Borën sonte në “Sezai Surroi”, me një ndeshje më shumë të luajtur sesa rivali direkt aktual për vend të parë Trepça, që luan nesër mbrëma.
Prizrenasit pas pjesës së parë thuajse të barabartë, kanë bërë dallimin e madh në pjesë të dytë për të fituar ndeshjen pa dramatizime të momenteve të fundit, me rezultat 94-76. Ekipin edhe sonte e udhëhoqi trajneri Bledar Gjeçaj, derisa portokallezinjtë kanë arritur të regjistrojnë edhe fitoren e katërt me radhë në vitin 2025.
Lejson Zeqiri me 21 pikë ka qenë koshashënuesi më i mirë i Bashkimit në fitore, edhe pse “snajperi” sonte s’i punoi atij. Gjuajti 1/7 për tre pikë. Me 14 pikë ndeshjen e kreu Jay McKinnis që bëri edhe 3 asistime e 7 kërcime, kurse 13 pikë i dha Samir Zekiqi (3/5 për tre pikë) që bëri edhe 3 asistime e 2 kërcime.
Bora në anën tjetër regjistroi humbjen e tretë radhazi, ndërsa sonte te ekipi prishtinas që këtë stinor po shijon debutimin në Superligë koshashënues më i dalluar ka qenë Alex Lomax me 21 pikë të shënuara, 4 asistime e 4 kërcime.
Pos tij, janë dalluar edhe Desmond Cambridge me 17 dhe Dion Haxhosaj me 12 pikë të shënuara. Ekipit i mungoi Adem Mekic i lënduar, ndërsa Rinor Memedi nuk luajti gjithashtu.
Fitorja, bën që Bashkimi të dalë në krye të renditjes tabelare të Superligës sonte, me bilanc 13-5, kurse Bora mbetet në 5 fitore derisa numri i humbjeve u shkon në 13! Janë në pozitën e shtatë, të parafundit në tabelë.