MBROJTËSI I TROFEUT, PËRSËRI NË FINALE

Foto: KBTrepça/ fb
Trepça siguron finalen e katërt me radhë!
29 January, 2025 @23:27
Tre të fundit i ka fituar, ndërsa për të katërtën e ka të siguruar finalen dhe do të jetë në garë për të bërë “poker” kupash! Trepça ka arritur që të sigurojë finalen e Kupës së Kosovës duke e mposhtur Prishtinën të mërkurën mbrëma në “Minatori” në një atmosferë të mirë, që në momente u tensionua prej publikut.
Dy çerekët e parë ishin interesant, ndërsa në të tretin Trepça tregoi forcën për të thelluar dallimin në pikë dhe për të shkuar lehtë te fitorja në çerek të fundit, 84-66 [22-21, 21-15, 26-16, 15-14]. Mitrovicasit e drejtuar nga strategu boshnjak Adis Beciragic, në secilin çerek ishin më të mirë sesa Prishtina e Murat Bilges, për të shkrirë avantazhin e bardhekaltërve, që ishte vetëm dy pikë nga ndeshja e parë.
Mikaile Tmusic mori kontrollin e lojës, dha 23 pikë, shutoi 5/9 për tre pikë dhe bëri 1 asistim e 5 kërcime në rrugëtim për fitore. Tekele Cotton shënoi 15 pikë, ndërsa 13 të tjera i dha Malik Johnson. Ky i fundit kishte më së shumti asistime në lojë, duke bërë 7 të tilla.
Muhamedali Janjeva dha 15 pikë, Rasid Mahalbasic 14 pikë e 9 kërcime, kurse Josh Nzeakor 13 të tjera - që s’mjaftuan për Prishtinën për të bërë hapin final për të arritur në ndeshjen e vlefshme për trofe. Prishtina përndryshe ka qenë finaliste në dy finalet e kaluara të Kupës, por është mposhtur nga Trepça aty!
Bardhekaltërit mbesin si ekip me më së shumti trofe të Kupës, 15 sosh. Por, ecuria e fundit e Trepçës me hapa të shpejtë po bën që gjërat të ndërrohen. Mitrovicasit me tre triumfet e fundit kanë arritur në shtatë trofe të Kupës dhe tashmë janë pranë të tetës.