FITORE PËR SHPRESA

Fotot: FIBA
Fitore e zorshme ndaj azerëve, për shpresa ndaj Zvicrës së kualifikuar!
20 February, 2025 @22:59
Kosova ka shënuar fitore të vështirë sonte, por në fund ka arritur qëllimin! Përkundër se nuk shënoi fitore me rezultat më të thellë sesa humbja në Azerbajxhan, Kosova me 81-79 sonte ka dalë në vend të dytë të renditjes tabelare dhe ka lënë gjithçka për tu vendosur në ndeshjen e fundit të grupit.
“Dardanët” e drejtuar nga Jean-Denys Choulet bëjnë pjesë në Grupin A parakualifikues për Botërorin e vitit 2027 ndërsa me fitoren e sotme kanë dalë në vend të dytë, një xhiro pa përfunduar cikli i fazës grupore. Ndeshja e fundit e Kosovës në këtë grup luhet pas tre ditësh, kur “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” e viziton Zvicra.
E Zvicra, me fitoren e sontme ndaj Irlandës veçse siguroi kualifikimin, pasi që ka bilanc 5-0 tashmë! Kosova është e dyta me 2-3, sa ka edhe Irlanda, ndërsa Azerbajxhani ra në 1-4. Kosovës për kualifikim i duhet fitorja patjetër ndaj helvetëve të dielën në Prishtinë!
Sa i përket përballjes me Azerbajxhanin, dallimi më i madh në rezultat për Kosovën ka qenë 9 pikë, ndërsa në dy minutat e fundit të përzgjedhurit e Choulet ndalën azerët në 1 pikë të vetme!
Më i miri te Kosova ka qenë Mikaile Tmusic, që dha 21 pikë, duke shutuar 5/9 për tre pikë, ndërsa bëri edhe 2 asistime e 4 kërcime në fitore.
Divine Myles luajti me 16 pikë, duke regjistruar 6 asistime e 5 kërcime, kurse 12 pikë i dha Dardan Kapiti e 10 të tjera Dardan Berisha.
Te mysafirët më efikasi ka qenë Donta Hall që dha 21 pikë dhe bëri 16 kërcime. Edhe Orhan Haciyeva sikurse Hall kreu lojën me double-double, duke shënuar 19 pikë e duke bërë 11 kërcime, por s’mjaftuan për fitoren e tyre.
TABELA AKTUALE E GRUPIT A:
1. Zvicra 5-0
2. Kosova 2-3
3. Irlanda 2-3
4. Azerbajxhani 1-4
Ndeshjet e fundit në grup: Kosova-Zvicra, Azerbajxhani-Irlanda.
Zvicra ka siguruar kalimin tutje, ndërsa nga vendet e dyta vetëm njëri shkon. Janë tre grupe parakualifikuese dhe aktualisht Kosovës fitorja me çfarëdo dallimi në pikë ndaj zviceranëve do t’i siguronte kalimin tutje! Të dielën prej orës 19:30, Kosova në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” në Prishtinë do të duhet të bëj çmos, për të arritur triumfin dhe biletën për kualifikim tutje.