FITORE E SUHAREKASVE

Ylli i kthehet fitores, duke triumfuar ndaj Prizrenit
26 February, 2025 @23:07
Ylli ka arritur fitore pas dy disfatave që i kishte së fundi në kampionat, duke mposhtur lehtë Prizrenin, që është i fundit në renditje tabelare.
Ekipi suharekas i drejtuar nga slloveni Ales Pipan nuk ka pasur telashe gjatë ndeshjes dhe lehtë ka shkuar te fitorja 91-69. Gjashtë lojtarë të Yllit shënuan pikë dyshifrore në ndeshje, ndërsa nuk luajti kapiteni Gëzim Morina, që u lëndua me reprezentacionin e Kosovës në javën e kaluar.
Dy lojtarë të Yllit kryen ndeshjen me double-double, ku Jan Palokaj dha 23 pikë dhe bëri 10 kërcime, ndërsa Hasahn French shënoi 10 pikë e 19 kërcime në fitore.
Imran Polutak, Malcolm Armstead dhe debutuesi Derrick Wilson dhanë nga 10 pikë secili, kurse Arian Çallakaj shënoi 22 pikë, 5 asistime e 8 kërcime në fitore.
Te Prizreni më i dalluari ishte Jordan Johnson me 23 pikë të shënuara dhe luajti 40 minuta të plota, bashkë me Lenzelle Smith Jr, që dha 17 pikë.
Pas kësaj ndeshjeje Ylli ka bilanc 9-12 dhe është i gjashti në renditje, ndërsa Prizreni i teti (në vend të fundit) ka bilanc 5-16.
Ylli - Prizreni 91-69