AUSTRALIAN OPEN
Spektakël në Melbourne, Nadal fitues i Australian Open 2022!
30 January, 2022 @15:15
Një finale spektakolare dhe për t’u mbajtur mend gjatë u zhvillua sot në Melbourne të Australisë!
Daniil Medvedev dhe Rafael Nadal dhuruan spektakël, duke luftuar për çdo pikë për mbi 5 orë, e në fund triumfit iu gëzua Rafael Nadal, i cili me përmbysje senzacionale e fitoi finalen.
Grand Slam-in e parë të këtij viti kalendarik Rafael Nadal e fitoi pasi në finale e mposhti rusin Daniil Medvedev 3-2 në sete (2-6, 6-7, 6-4, 6-4, 7-5).
Kjo është hera e parë që nga viti 2009 që Rafael Nadal e fiton Grand Slam-in e Australian Open, e ky i fituar sot është Grand Slami numër 21 për të karrierë. Kështu, Nadal tash ka më shumë Grand Slams të fituar se Roger Federer e Novak Djokovic, të cilët për momentin kanë nga 20 Grand Slams të fituar secili.
Rusi Medvedev e fitoi setin e parë 6-2 pa shumë vështirësi, e seti i dyti më pas ishte shumë interesant. Rafa Nadal në setin e dytë ishte shumë më i mirë se në të parin, por edhe këtë set e fitoi Medvedev. Ky i fundit fillimisht e evitoi një “set point” të kundërshtarit, e më pas e çoi setin në tie-break, ku fitoi 7-5 dhe rrjedhimisht e fitoi setin e dytë 7-6.
Por, përkundër se është mbi 10 vjet më i vjetër se kundërshtari i sotëm, Nadal nuk u dorëzua dhe me lojë senzacionale arriti t’i fitojë setet 3 dhe 4 (6-4, 6-4), për ta çuar ndeshje në setin e pestë dhe përfundimtar.
Si e gjithë ndeshja, edhe seti i fundit ishte fantastik. Nadal mori “break” herët, por Medvedev nuk u dorëzua dhe e çoi setin në 5-5. Megjithatë, për fat të keq të tenistit numër 2 në botë, Nadal nuk lëshoi më terren dhe e fitoi setin e fundit 7-5, për ta fituar kështu ndeshjen dhe rrjedhimisht turneun e Australian Open për këtë vit, një arritje senzacionale nëse marrim parasysh rrethanat që e përcollën tenistin spajoll kohëve të fundit!
Për dallim nga Nadal, që sot e arriti triumfin e 21-të në Grand Slams në karrierë, Medvedev në anën tjetër mbetet me një Grand Slam të fituar në karrierë, atë të US Open 2021.
Kujtojmë që te vajzat këtë vit kampione e Australian Open u shpall Ashleigh Barty, e cila dje fitoi në finale ndaj amerikanes Danielle Collins.