E TRETA ME RADHË
Trepça kryen detyrën ndaj Borës
26 October, 2024 @18:46
Pa shumë telashe, Trepça ka shënuar fitore të pritur ndaj Borës në ndeshjen hapëse të xhiros së shtatë të Superligës. Bora, që luajti ndeshjen në cilësi të vendases në “Minatori” për shkak se “1 tetori” në Prishtinë nuk ishte në dispozicion, pësoi humbjen e gjashtë sezonale, ndërsa Trepça regjistroi fitoren e tretë me radhë, 57-74.
Adis Beciragic bëri rotacione të mëdha gjatë ndeshjes së sotme, duke i dhënë mundësi pjesës më të madhe të bankës të shijojë minuta në fushë, ndërsa sa i përket koshashënuesve Dardan Kapiti ka qenë më efikasi, duke shënuar 18 pikë në fitoren e ekipit të tij. Reprezentuesi Kapiti kreu lojën me double-double, pasi që bëri edhe 15 kërcime në këtë fitore. Pos tij, pikë dyshifrore shënoi edhe Samuel Hunter, që i shoqëroi ato me 4 asistime e 5 kërcime.
Bora, që pas largimit të Arben Krasniqit u drejtua sot nga Lorik Kllokoqi, lojtar më të dalluar në ndeshje kishte Jalen Grahamin që dha 21 pikë dhe 12 kërcime, për të kryer ndeshjen me double-double. Alex Lomax luajti me 11 pikë, ndërsa basketbollistët tjerë nuk arritën të jenë në nivel të kësaj dysheje.
Me këtë, Trepça bën bilancin 5-2 ndërsa Bora e fundit në renditje është me 1-6.