GJAKOVARËT KALOJNË LEHTË KB PRIZRENIN
Vëllaznimi i kthehet fitores!
5 October, 2024 @22:16
Me një lojë të fortë të treguar në çerek të parë, Vëllaznimi i është kthyer fitores në Superligë duke shënuar fitore ndaj Prizrenit. Kjo ka qenë fitorja e parë e Vëllaznimit pas dy humbjeve radhazi.
Basketbollistët e drejtuar nga Branimir Pavic me startin e mirë të ndeshjes në periudhën e parë të lojës 26-16, krijuan diferencën e nevojshme në rezultat, që u mundësoi më pas menaxhim më të lehtë të lojës dhe duke administruar rezultatin arritën lehtë te fitorja ndaj KB Prizrenit të drejtuar nga Arbnor Rifati, 73-59.
Shizz Alston me 23 pikë ka qenë lojtari me më së shumti pikë të shënuara për Vëllaznimin në fitore. Për dy pikë nga loja Alston nuk shënoi asnjë pikë prej 5 tentimeve, ndërsa prej vijës për tre pikë ka pasur snajperin mirë të rregulluar, duke shënuar 7 herë nga 14 tentime!
Qendra Jason Jitoboh përkundër se nuk u dallua me pikë të shënuara, 8, kreu punë mjaft në lojë duke bërë 5 asistime, 12 kërcime, 1 bllokadë e 1 top të vjedhur në këtë fitore. Paraqitje të mirë kishte edhe Antwan Walker që dha 13 pikë e bëri 7 kërcime në fitore.
Prizreni ka mbetur me një fitore në Superligë pas humbjes së sontme. Lojës së mirë të Wayne Arnoldit bashkëlojtarët nuk arritën t’i bashkangjiteshin për të bërë më shumë. Arnold luajti me 14 pikë, 3 asistime e 9 kërcime në këtë disfatë për ekipin e tij. Shto këtyre edhe 2 bllokada e 4 topa të vjedhur, bënë që ai të tregojë cilësitë e tij individuale, por anës tjetër të ekipit nuk i eci si duhet!
Vëllaznimi pas katër xhirosh, me fitoren e sontme ka neutralizuar bilancin në 2-2, ndërsa Prizreni bëhet për herë të parë këtë stinor me bilanc negativ, 1-2!