CINDERELLA
Monfils — “I përhituri”
28 May, 2013 @0:12
I ranguari i 82-të në ATP, 26-vjeçari françez, Gaël Monfils, i cili iu bashkangjit turnet si ‘wildcard’ — arriti ta befasojë dhe përmbysë të pestin e botës, çekun Thomas Berdych në meçin e tyre prej katër orëve e tre minuta. Meç ky i cili shkoi në pesë sete, ku tre prej tyre u vendosën përmes tie-brake.
Loja e përqëndruar e françezit, tentimi konstant në fitore, si dhe mbështetja e publikut vendas, i ndihmuan ta mposhtë çekun i cili u rikthye nga dy setet e para të humbura.
Befasia e Monfils kundër Berdych nuk ishte edhe e rastësishme. Gaël në vitin 2011 kishte arritur të renditej në vendin e shtatë të botës, por kjo nuk i zgjati edhe aq shumë për shkak të disa humbjeve dhe lëndimeve në vazhdim. Nga rekordi i tij i deritanishëm prej 252-150 (fitore-humbje), ai ka arritur ti mposht edhe teniserët më të mirë në botë, sikur: Andy Rodick, Marat Safin, Lleyton Hewitt, Rafael Nadal, Jo-Wilfred Tsonga, Andy Murray, Roger Federer dhe Novak Djokovic, në mes të tjerëve.
Në anën tjetër, çeku Berdych edhe pse tregoi një lojë të sigurtë dhe plot varietet, nuk arriti ta mposhtë dhuntinë magjike të françezit në mesin e një turme të zhurmshme në përkrahje të “çunit të përhitur”.
Ky meç në raundin e parë të French Open 2013, mund edhe të jetë meçi më i mirë i stinorit 2013.
Meshkujt
Në terenin Philippe Chartier, numri katër i botës, spanjolli Rafael Nadal, nuk e pati edhe aq lehtë kalimin në raundin e dytë. Gjermani 26-vjeçar, Daniel Brands, i ofroi spanjollit një ofanzivë bavaraze duke u shkëputur nga seti i parë për vetëm 36-minuta. Frika e spanjollit u përsërit edhe në tre setet e ardhshme, ku gjermani e theu heret në secilin set, por ky i fundit nuk arriti ti përmbyllë këto sete, kështu duke dorëzuar meçin në katër sete.
Jo-Wilfred Tsonga, kapërceu lehtë në raundin e dytë duke e mposhtur sllovenin Aljaz Bedene në tre sete të shpejta.
Femrat
Në meçet e femrave, anglezja e talentuar, Laura Robson u diskualifikua nga danezja Caroline Wozniacki në një meç tejet të shpejtë.
Maria Sharapova u desht që të zhvendosej në një terren tjetër, pasi që terreni i planifikuar ishte i zënë nga meçi maraton i Monfils–Berdych. Mirëpo, ky ndërrim terreni në minutat e fundit nuk i pengoi ruses të kualifikohej në raundin e dytë për vetëm 54-minuta, duke e mposhtur Hsieh Su-Wei nga Taipei.
Poashtu, finalistja e Australian Open 2013 , kinezja Li Na kaloi në raundin e dytë përmes fitores 6-3 6-4 kundër spanjolles Anabel Medina Garrigues.
Polakja, Agnieszka Radwanska e poshtëroi izraeliten Shahar Peer në dy sete 6-1 6-1.
Nesër
Nesër (sot) luhen mbetjet e raundit të parë, ku meçi më interesant do të jetë ai i Novak Djokovic kundër belgut David Goffin, i cili është duke treguar lojë solide në sezonin 2013.