OLIMPIADA DIMËRORE - PYEONGCHANG 2018
Bjellorusia e artë nëpër kaos
22 February, 2018 @16:57
Në një garë kaotike të dominuar nga erërat e fuqishme që lanë favoritët pa medalje, Bjellorusia me Darya Domrachevan në ndërrimin e fundit, skijoi deri tek e arta në garën ekipore të femrave në biathlon.
Katër ndërrimet nga 6 kilometra, bjelloruset i kaluan në kohë 1:12.03.4 orë, duke pasur nëntë gabime në qitje. Hanna Oeberg shpiu suedezet tek e argjendta duke mbetur 10.7 sekonda vonesë në fund, me 12 gabime në qitje. E bronzta i takoi Francës që patën 17.6 sekonda vonesë me 14 gabime në qitje.
Erërat e forta lanë Norvegjinë jashtë podiumit me 12 gabime në qitje dhe 3 rrathë dënimi, të cilët në garat ekipore janë të rrallë. Gjermania mbaroi e teta me 11 gabime dhe 3 rrathë dënimi, ndërsa Italia e Çekia patën nga katër rrathë dënimi.
Garat në biathlon mbarojnë me stafetën e meshkujve që zhvillohet të premten në ora 12:15.