FBOXK
Boksierët e Kosovës, nuk lejohen të hyjnë në Serbi!
23 October, 2021 @8:27
Ekipi i boksierëve të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi. Delegacioni i Kosovës u nis për Beograd të Serbisë, ku po organizohet Botërori për boks amator dhe që nis nesër (24 tetor).
Mirëpo, boksierët nuk janë lejuar të vazhdojnë rrugën tutje. Ata janë ndalur në Konçul në kufi, ku policia serbe nuk i ka lejuar të vazhdojnë më tej për shkak të shenjave dhe flamurit të Kosovës nëpër tuta të boksierëve.
“Rreth orës një jemi nisur për në Beograd. Jemi ndalë në kufi në Konçul nga policia serbe dhe nuk na lejuan të dalim andej, për shkak të shenjave të Kosovës në tutat sportive dhe në fanellat tona. Në to shkruan KOS, ndërsa na thanë se duhet t’i lëmë në kufi dhe mund të vazhdojmë. Por siç jemi dakorduar me AIBA-n, që marrim pjesë vetëm me shenja të Kosovës, ne nuk pranuam. Tani jam në kontakt me zyrën e AIBA-s dhe po presim përgjigje”, ka treguar Latif Demolli, sekretar i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës. “Na thanë lëreni uniformën këtu dhe me përcjellje ju dërgojmë në Beograd. Ne jemi në kufi duke kontaktuar me AIBA-n për të intervenuar”, ka shtuar Demolli.
Ekipi i Kosovës në boks nga Federata ka paraqitur tre boksierë për të garuar në Kampionatin Botëror. AIBA dhe Federata e Boksit e Serbisë si organizatore, nuk kanë komentuar ende asgjë lidhur me rastin.
Nëse Kosova do të arrijë të marrë pjesë atje, do të jetë historike!
Bashkim Bajoku (kat. 54kg), Shpëtim Bajoku (kat. 63.5kg) dhe Patriot Behrami (kat. 71.kg) janë boksierët e paraqitur për të marrë pjesë në garë. Ata që prej 6 tetorit kanë stërvitur pandërprerë bashkë me selektorin Besim Behrami dhe trajnerin Lirim Shllaku. Bile, në një postim të FBOXK Brahimi është thënë se beson e shpreson që Kosova të merr medalje në Kampionatin Botëror.
Në anën tjetër, serbët si organizatorë kanë paralajmëruar ardhjen e legjendës Mike Tyson dhe aktorit Silvester Stalone, për të shikuar nga afër Botërorin!