Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

TRAJNERI BULLGAR MERR DREJTIMIN E BORËS

Bora zyrtarizon ish-trajnerin e Trepçës

Foto: KBTrepça

Bora zyrtarizon ish-trajnerin e Trepçës


30 June, 2025 @12:24

Pas ndarjes me trajnerin malazez, Danilo Rakocevic, i cili shpëtoi ekipin në Superligë në stinorin debutues të tyre aty, Bora ka bërë të ditur se ka angazhuar trajner të ri për edicionin e dytë të tyre në elitën e basketbollit të Kosovës.

Ekipi i Borës ka bërë të ditur se për edicionin 2025/26 të garave ka angazhuar trajnerin bullgar, Lubomir Minchev, i cili nuk është i panjohur për Superligën e Kosovës, pasi që ka drejtuar Trepçën prej fillim stinorit 2021/22 deri në pjesën e parë të stinorit 2022/23.

“Me kënaqësi njoftojmë emërimin e trajnerit të njohur Bullgar Lubomir Minchev si kryetrajnerin e ri të klubit tonë!
Me përvojë të gjatë në basketbollin evropian dhe suksese të shumta si trajner i Kombëtares Bulgarise dhe klubeve elitare, Minchev sjell profesionalizëm, disiplinë dhe vizion të qartë për ngritjen e ekipit tonë në një nivel më të lartë.
Synimet janë të mëdha – dhe me Minchev në krye, jemi të bindur se do të ndërtojmë një ekip konkurrues dhe të përkushtuar për suksese.
Mirë se vjen në familjen tonë, Coach Minchev!”
— shkroi KB Bora në njoftimin e saj të lëshuar dje.

Minchev me Trepçën në atë kohë kishte fituar Kupën e Kosovës, Superkupën mbarëkombëtare që mbahej në kuadër të Ligës Unike, ndërsa luajti finale të Superkupës së Kosovës dhe finale të playoffit.

Minchev (lind. 1971) është i njohur për lojën me disiplinë të madhe në ekip, ndërsa Bora po kërkon të stabilizohet si ekip i Superligës dhe marrja e trajnerit bullgar me përvojë që ka me disa ekipe bullgare si dhe reprezentacionin e Bullgarisë pritet të bëj ngritjen e skuadrës.

Bora, në stinorin e kaluar 2024/25 debutoi në Superligë të Kosovës. Ajo siguroi mbijetesën aty pas ndeshjeve të playoutit, duke eliminuar KEK-un nga Liga e Parë. Ekipi prishtinas, ka treguar kryesisht lojëra të mira në Superligë dhe me luftë të madhe arriti që të mbyllë stinorin me bilanc prej 9 fitoreve dhe 19 humbjeve për të lënë pas KB Prizrenin që ra nga elita si i fundit në renditje.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga