Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

WINTER SEASON

Bora

Bora


Shkruan: Luan MORINA

26 October, 2018 @21:52

Sezoni që po nis i Kupës së Botës në skijim alpin mund të jetë sezon i ndryshimeve të mëdha në librat e rekordeve! Lindsay Vonn do të pensionohet në fund të sezonit, derisa Marcel Hirscher mund të skalit emrin e tij si më i miri në histori. Që të dy do të kenë kundërshtarë në këtë mision të tyre, sidomos skiatorja amerikane.

Meshkujt

Marcel Hirscher, tani 29 vjeçar dhe nga ky tetor edhe prind, pritet të marrë me lehtësi këtë sezon pas titullit të shtatë të përgjithshëm. Austriaku mori dy të arta në Pyeongchang, dhe dyshohet se mund të ketë mungesë të motivimit, sidomos pas ndryshimeve të lartpërmendura në jetën private. Vitin e kaluar nuk kishte nisur sezonin për shkak të lëndimit, por kjo nuk i pengoi të shënoj trembëdhjetë fitore në dy disiplinat teknike ku edhe mori globet e kristalta.

Konkurrentët e tij më të mirë mbeten dy skandinavët – Henrik Kristoffersen dhe Andre Myhrer. Norvegjezi nuk e pati sezonin më të mirë vitin e kaluar, kur shënoi vetëm një fitore. Një fitore të vetme sezonin e kaluar e pati edhe Myhrer, dhe ndonëse në moshë më të shtyrë, tentimi për t’u stolisur me një glob të artë mbetet ende synim i tij. Titulli i kampionit olimpik do ta heq presionin nga suedezi.

Në sllallom të madh, barra bie mbi Alexis Pinturault, i cili sezonin e kaluar pati një mision rritjeje duke provuar edhe disiplinat tjera në tentim për të rritur gjasat për titullin e përgjithshëm. Për këtë titull pritet të luftojnë edhe veteranët e disiplinave të shpejta – norvegjezët Aksel Lund Svindal dhe Kjetill Jansrud. Kundërshtarët kryesorë të tyre pritet të jenë zvicerani Beat Feuz dhe austriaku Matthias Mayer. Këta katër ndanë katër titujt e Kupës së Botës dhe Olimpiadës Dimërore sezonin e kaluar. Por, s’duhet të harrojmë assesi gjermanin Thomas Dressen i cili fitoi Lëshimin e Kitzbuhelit sezonin e kaluar.

Femrat

Sezonin e kaluar, Lindsay Vonn shënoi katër fitore në Kupën e Botës duke u ngjitur në 82 fitore në total. Amerikania deklaroi që ky sezon, i nëntëmbëdhjeti do të jetë i fundit i saj, shënoi apo jo pesë fitoret që i nevojiten për të tejkaluar rekordin e mbajtur nga Ingemar Stenmark. Skiatori legjendar ka 86 fitore në Kupën e Botës. Një rekord të sigurt me pensionimin e saj, Vonn do ta ketë me njëzet globet e kristalta të fituara gjatë karrierës së saj, si askush tjetër.

Gjersa karriera e një amerikane shkon drejt perëndimit, karriera e tjetrës po i afrohet zenitit. Ndonëse vetëm 23 vjeçare, Mikaela Shiffrin tenton titullin e tretë të përgjithshëm me radhë – një fat i arritur vetëm nga Moser-Proll, Kronberger, dhe Vonn. E në sllallom, disiplinë në të cilën sezonin e kaluar fitoi 9 nga 12 garat, Shiffrin mund të marrë titullin e gjashtë radhazi, sukses i arritur nga një sportiste legjendare tjetër – Vreni Schneider.

Si zakonisht, sllallomi i madh pritet të jetë disiplina më e paqartë tek femrat, ndërsa në lëshim do të kemi një duel ndërmjet të kampioneve të fundit – Sofia Goggia dhe Ilka Stuhec. Por, vetëm pas janarit, atëherë kur italiania pritet të kthehet nga lëndimi. Pas një sezoni të lëshuar për shkak të lëndimit, sllovenia Ilka Stuhec pritet t’u kthehet skive. Në disiplinat e shpejta, konkurrenca është më e madhe me të zakonshmet Lara Gut dhe Tina Weirather. E Shiffrin, konkurrente për të marrë ndonjë fitore në sllallom ka Wendy Holdener dhe Fridda Hansdottir.

Sezoni i 53të i Kupës së Botës në skijim alpin, pasurohet me Kampionatin Botëror që do të mbahet në Are të Suedisë ndërmjet datave 5 e 17 shkurt. Ndërkohë Kupa e Botës e cila udhëton në 43 lokacione, për të 18tën herë radhazi nis në Solden të Austrisë. Meshkujt do të kenë 41 gara, me 39 për femrat, të cilat përfundojnë në fundjavën e 17 marsit në Soldeu të Andorrës.


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera