PRISHTINA ELIMONON RIVALIN E ASHPËR, ARRIN NË GJYSMËFINALE
Burns shkëlqen, Prishtina eliminon Pejën nga Kupa
11 December, 2024 @22:27
Një pjesë e parë e furishme e Prishtinës ka bërë që Peja të eliminohet nga Kupa e Kosovës në fazën çerekfinale të garës. Bardhekaltërit me fitoren e sontme me 9 pikë dallim, 77-68, kanë shkrirë epërsinë e pejanëve nga ndeshja e parë dhe kështu kanë siguruar biletë për gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ku do të ndeshen me Trepçën.
Damiree Burns ka shkëlqyer në fitoren e Prishtinës me double-double, duke dhënë 26 pikë, 6 asistime dhe 12 kërcime. 21 pikë, 3 asistime e 8 kërcime ka shënuar Qua Grant, derisa bardhekaltërit e drejtuar nga Murat Bilge kanë kryer detyrën për të siguruar një vend në katërshen më të mirë të Kupës së Kosovës sonte.
Peja, nuk arriti assesi të këndellet pas pjesës së parë të dobët. Çereku i parë me 23-13 dhe i dyti me 24-20 në të mirë të Prishtinës, bëri që Peja ta gjejë veten në pushim me disavantazh 47-33, që në pjesë të dytë përkundër luftës u bë e pamundur të shkrihej në së paku dy pikë sa i nevojitej ekipit të drejtuar nga Daniel Nelson për të shkuar tutje në gjysmëfinale!
Jacquez Yow me 25 pikë e 9 kërcime ka qenë më i dalluari te Peja në këtë humbje, ndërsa Amin Hot dha 11 pikë. Dardan Berisha u ndalë në 5 pikë, ndërsa shuti për tre pikë sonte për te shkoi në 1/9! Pas eliminit nga Kupa, Peja largoi nga detyra menjëherë trajnerin Daniel Nelson!