MITROVICASIT TRIUMFOJNË NË PRISHTINË
Trepça lidere fiton derbin ndaj Prishtinës
8 December, 2024 @21:17
Kampionja aktuale e Kosovës dhe liderja e Superligës, Trepça, ka fituar derbin e xhiros duke e mposhtur Prishtinën në “Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve” pas një çereku të katërt të fortë, për të fituar ndeshjen 68-81.
Përndryshe, Trepça tash ka barazuar bilancin e këtij stinori në kampionat ndaj Prishtinës, pasi që përballjen në “Minatori” e kishte humbur. Rivalët e vjetër tash janë 1-1 në duele mes veti.
Trepça e nisi më mirë ndeshjen, 13-22, ndërsa Prishtina me mund ia nisi rikthimin për të arritur deri në barazim rezultati 41-41 në fillim të çerekut të tretë, por mitrovicasit treguan kujdes kampioni dhe nuk lanë më tej zbehje të tillë rezultati, për të marrë lojën në kontrollë dhe për të shkuar te fitorja, e në çerek të katërt me 14-24 çuan ndeshjen në fund pa stres.
Mikaile Tmusic me 19 pikë, 4 asistime e 7 kërcime ka qenë më efikasi te Trepça sonte, ndërsa 17 pikë dha Desmond Cambridge, 16 Sammy Hunter e 15 të tjera Drilon Hajrizi.
I ardhuri i fundit te Prishtina Qua Grant dha 27 pikë në këtë lojë. Ai shutoi 5/11 për tre pikë. Daniel Lekndreaj dha 15 pikë e 8 kërcime, kurse Damiree Burns kreu lojën me double-double prej 10 pikësh e 11 kërcimesh. Nuk mjaftuan këto për ekipin e drejtuar nga Murat Bilge, që këtë xhiro e mbyllë në pozitë të katërt.
Trepça lidere është me bilanc 9-2 tash, ndërsa Prishtina 6-4. Në xhiron e radhës Trepça pret Prizrenin, derisa Prishtina udhëton në “Karagaç” për një derbi tjetër.