VËLLAZNIMI ME KAPITAL DREJT SUHAREKËS
Nuga 39 pikë, Vëllaznimi me avantazh të madh për ndeshjen e kthimit
4 December, 2024 @21:47
Basketbollisti amerikan i Vëllaznimit, Michael Nuga, ka shënuar 39 pikë, ndërsa Vëllaznimi ka mposhtur Yllin me 18 pikë dallim në ndeshjen e parë çerekfinale të luajtur në “Shani Nushi” ku gjakovarët mposhtën Yllin, 100-82.
Fitorja me rezultat bindës për Vëllaznimin, do t’ju lehtësojë atyre sadopak lojën e dytë pas një jave në “13 qershori”, kurse sonte pos Nugës është dalluar edhe Jason Jitoboh me 21 pikë e 9 kërcime. Trey Anderson ka dhënë 19 pikë e ka bërë 7 kërcime në këtë fitore të gjakovarëve të drejtuar nga Jeronimo Sarin.
Yllit nuk i kanë mjaftuar 31 pikët e Quade Greenit, që bëri edhe 4 asistime e 4 kërcime. Lis Shoshi ka qenë lojtari tjetër i ekipit të drejtuar nga Endrit Elshani që ka shënuar pikë dyshifrore, pasi që pejani dha 21 pikë e bëri 7 kërcime për ekipin suharekas sonte.
Përballja e kthimit do të vendos gjithçka, ndërsa Ylli për të arritur gjysmëfinalen i duhet fitore me minimum 19 pikë dallim ndaj Vëllaznimit në ndeshjen e ardhshme.