DUELET E PARA ÇEREKFINALE
Kupa e Kosovës me sistem të ri, nis këtë mesjavë
2 December, 2024 @22:22
Kupa e Kosovës këtë stinor do të luhet me format tjetër për dallim nga vitet e fundit.
Tetë skuadrat garuese për trofeun e Kupës së Kosovës do të nisin përsëri garat nga çerekfinalja, por kësaj radhe me ndeshje të sistemit vajtje-ardhje, ku skuadra me bilanc më të mirë nga dy ndeshjet do të sigurojë pjesëmarrjen në gjysmëfinale të Kupës.
Këtu, përsëri do të luhen ndeshjet në sistemin vajtje-ardhje.
Pra, edhe në përballjet gjysmëfinale do të luhen nga dy ndeshje, derisa më i miri do të sigurojë pjesëmarrjen në finale dhe do të hyjë në luftë për trofe.
Kështu, sipas rregullit të përcaktuar më parë, çerekfinalistët janë përcaktuar në sistemin e rregulluar nga renditja përkatëse tabelare e Superligës, që ka qenë pas shtatë xhirove të para të stinorit (fund i ciklit të parë të ndeshjeve), ndërsa në çerekfinale ndeshen:
8-1 | Bora (8) - Bashkimi (1)
7-2 | Prizreni (7) - Trepça (2)
6-3 | Peja (6) - Prishtina (3)
5-4 | Vëllaznimi (5) - Ylli (4)
Skuadrat që kanë bërë të ditura deri tash terminin e ndeshjes së parë, që luhet këtë mesjavë janë Peja, e cila me 4 dhjetor me fillim prej orës 19:00 pret Prishtinën në ndeshjen e parë çerekfinale, kurse Bora pret Bashkimin më 5 dhjetor në ndeshjen që nis në ora 19:00 në Prishtinë. Vëllaznimi pret Yllin më 4 dhjetor prej orës 19:00. Ndeshjet e kthimit luhen mesjavën e ardhshme, ndërsa orari pritet të përcaktohet nga nikoqirët.
Gjithashtu, FBK ka bërë të ditur edhe ndeshjet e gjysmëfinalistëve për ekipet që sigurojnë ato.
Rrugëtimi është ky, në gjysmëfinale ndeshen fituesit e dueleve 8-1 me 5-4 dhe ato 7-2 me 6-3. Pra fituesi i çiftit Bashkimi-Bora luan me fituesin e çiftit Ylli-Vëllaznimi. Ndërkaq gjysmëfinalja tjetër do të jetë fituesi i çiftit Prishtina-Peja kundër fituesit të çiftit Trepça-Prizreni.
Vendase në përballjet e para do të jenë skuadrat që kanë qenë më poshtë të renditura në tabelë në momentin e tërheqjes së shortit.
Edhe në gjysmëfinale vjen sistemi i njëjtë, ku ekipi që arrin koshdallim më të mirë nga dy ndeshjet shkon në finale.