Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PEJA SHTON QENDËR NË EKIP

Peja zyrtarizon qendrën 211cm të gjatë

Peja zyrtarizon qendrën 211cm të gjatë


27 November, 2024 @11:35

Një qendër e re te Peja është zyrtarizuar sot, derisa basketbollisti amerikan Jonathan Galloway është emër i ri i pejanëve për stinorin 2024/25 në kuadër të Superligës.

Galloway është 211 centimetra i gjatë dhe pritet të jetë ndihmesë e madhe për lojën nën kosh të Pejës, ndërsa KB Peja ka bërë të ditur se ai do t’i bashkohet ekipit në stërvitje sot.

“Galloway, basketbollist i pozitës qendër, do të bashkohet me skuadrën nga sot dhe do jetë pjesë e stërvitjeve - duke filluar aventurën me ngjyrat verdhezi qysh nga ndeshja me Borën.
28-vjeçari ka karrierë të pasur në Europë - me eksperiencë në shtete si Danimarka, Kroacia, Zvicra, Turqia, Finlanda, Qekia dhe së fundmi në Qipro.
I gjatë 2.11m, Galloway do jetë ndihmë e madhe për skuadrën gjatë pjesës së mbetur të sezonit.”
- ka bërë të ditur KB Peja.

Basketbollisti 28 vjeç do të debutojë në ndeshje ndaj Borës në fundjavë, ndërsa në stinorin e kaluar ka qenë pjesë e Apoelit nga Nikozia, ku ka pasur mesatare prej 4.6 pikësh, 5.3 kërcimesh dhe 0.7 asistimesh në 7 ndeshje sa ka luajtur aty.

Gjithashtu, Galloway këtë stinor ka nisur me ekipin zviceran Geneve, ku ka luajtur 4 ndeshje, ndërsa ka pasur 21.5 minuta mesatarisht me 10.8 pikë, 0.8 asistime e 7.3 kërcime për ndeshje.

Peja pas nëntë xhirove të para të Superligës ka bilanc 4-5, ndërsa pas dorëheqjes së Rami Hadarit me të cilin ishin bërë kampion dy stinorë më parë, drejtohen nga irlandezi Daniel Nelson.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga