DEBAKËL NË BERN!
Zvicra shthur Kosovën
21 November, 2024 @22:45
Paraqitje aq e dobët e Kosovës sonte në Bern, sa që nuk ka ku shkon më poshtë! Zvicra fitoi ndeshjen 75-43 ndaj Kosovës në kuadër të parakualifikimeve për të arritur fitoren e tretë në grup, ndërsa Kosova shkon në bilanc negativ në grup, 1-2. Këto janë vetëm parakualifikime për Botërorin 2027, ndërsa Kosova nën drejtimin e përzgjedhësit të ri Jean-Denys Choulet, tregoi se nuk ka asgjë nga basketbolli i reprezentacionit.
Helvetët shthurën dardanët, ku këta të fundit thuajse nuk ishin në fushë dhe me paraqitje për harresë, u ndanë kokulur nga ky udhëtim. Çereku i parë u mbyll me 14-12, i dyti 22-6, i treti 20-20 dhe i fundit, 19-3! Pa koment shtesë për këtë ndeshje.
Gëzim Morina ka qenë lojtari me indeksin më të lartë të efiçencës, duke arritur kuotën 13, pasi që shënoi 6 pikë, bëri 8 kërcime e 4 asistime. Ai sidoqoftë, kishte edhe 4 topa të humbur!
Më së shumti pikë shënoi Mikaile Tmusic, 9! Ai kishte gjithashtu 4 topa të humbura. Dominic Artis luajti 15 minuta dha 4 pikë, Dardan Berisha dha 8 pikë. Edhe kapiteni kishte 4 topa të humbura. Kaq.
Në anën tjetër Zvicra, që basketbollin e ka sa për të pasur aktiv këtë sport në vend, duke qenë se është ndër sportet jo fort të rëndësishme në shtetin alpin, luajti mirë dhe sigurt duke respektuar ekipin dhe duke treguar angazhim. Boris Mbala dha 15 pikë në fitore, duke bërë edhe 12 kërcime, kurse me nga 14 pikë ndeshjen e përfunduan Jonathan Kazadi dhe Selim Fofana!
TABELA AKTUALE E GRUPIT H PARAKUALIFIKUES:
1. Zvicra 3-0
2. Irlanda 1-2
3. Kosova 1-2
4. Azerbajxhani 1-2.