STËRVITJA E PARË E KOSOVËS
Konfirmohet ardhja e Artisit, Choulet nis përgatitjet me Kosovën
Teksti: FBK
13 November, 2024 @14:13
Kosova të martën mbrëma ka filluar përgatitjet për parakualifikimet evropiane për Kupën e Botës 2027.
Dardanët nisën misionin nën udhëheqjen e përzgjedhësit të ri, Jean-Denys Choulet.
Stërvitja e parë ka shkuar shumë mirë, ku të gjithë basketbollistët po japin maksimumin, derisa atmosfera është shumë e mirë në kampin Dardan.
Përgatitjet kanë vazhduar edhe sot paradite, derisa stërvitja e mbrëmjes do të jetë nga ora 19:00 në palestrën ‘1 Tetori’, ku do të zhvillohen përgatitjet në Prishtinë për takimet e rëndësishme evropiane.
Të mërkurën në mëngjes u bashkuan edhe basketbollistët e Trepcës, Dardan Kapiti, Mikaile Tmusiq dhe Erjon Kastrati.
Gjithashtu përgatitjeve do t’i bashkohet Dominic Artis, i cili do të jetë një armë shumë e fortë për Kosovën për dy ndeshjet si mysafire.
Dardanët në muajin nëntor do të zhvillojnë dy ndeshje si mysafirë. Më 21 nëntor do të ndeshen me Zvicrën dhe më 24 ndaj Irlandës.
Kosova ka një fitore dhe një humbje. Sfidat e fundit do të jenë në shkurt të vitit të ardhshëm, kur do të presim Zvicrën dhe Azerbajxhanin.