LARGOHET NGA PRISHTINA
Jalen Moore largohet nga Prishtina, shkon te ekipi i ish-trajnerit të Kosovës!
7 November, 2024 @21:38
Njëri ndër lojtarët më të dalluar të Prishtinës, Jalen Moore, është përshëndetur me ekipin bardhekaltër nga kryeqyteti dhe tashmë është bërë pjesë e skuadrës nga liga e dytë e basketbollit të Turqisë, Ormanspor.
Prishtina bëri të ditur sot gjatë ditës njoftimin për largimin e Moore, ndërsa e ka falenderuar atë për angazhimin me ekipin e bardhekaltërve për aq sa ishte pjesë e saj.
“Ju njoftojmë se lojtari ynë Jalen Moore i transferuar në Prishtinë gjatë verës ka vendosur të largohet nga skuadra për ta vazhduar karrierën në Turqi.
Kontrata e lojtarit me klubin kishte opcionin e daljes nga klubi me dëmshpërblim në rast se kërkohet nga klubet e shteteve më superiore.
Moore e falenderojmë për angazhimin dhe paraqitjet fantastike dhe i urojmë suksese në karrierën e tij!” — ka shkruar KB Prishtina në njoftim.
Moore ka pasur paraqitje fantastike me Prishtinën përgjatë tetë xhirove të para të stinorit në Superligë. Ai ka luajtur mesatarisht 31.9 minuta për ndeshje, duke shënuar 16.1 pikë, 7.3 asistime dhe 4.5 kërcime për ndeshje si mesatare.
Në anën tjetër, ekipi turk Ormanspor veçse ka publikuar fotografitë e Moore-it në stërvitje me ekipin e ri, duke e përshkruar me fjalët se transferi i ri i ekipit ka filluar stërvitjet me ekipin e parë.
Interesant është edhe fakti se Ormanspor dy ditë më parë emëroi trajner, ish-trajnerin e Kosovës U20 të femrave, Furkan Saglik, që ka qenë edhe trajner i ekipit të femrave të Bashkimit. Bashkë me Saglik, edhe Moore ka nisur aventurën e tij të re në ligën e dytë të Turqisë me ekipin e ri.
Përndryshe Ormanspor është nga kryeqyteti i Turqisë, Ankara, ndërsa bilanci aktual i skuadrës pas nëntë xhirove të para të stinorit është 4-5.