KAMPIONJA BËHET LIDERE!
Tmusic vendimtar në fitoren e Trepçës ndaj Yllit, kampioni del në krye!
9 November, 2024 @21:03
Ndeshja e parë e ditës dhe e xhiros ka qenë mjaft dramatike, veçanërisht në dy minutat e fundit të saj, derisa Trepça ka vazhduar serinë e fitoreve falë Mikaile Tmusicit, duke e çuar atë në pesë ndeshje me radhë.
Mitrovicasit, që janë kampionë aktual të Superligës, kanë mposhtur Yllin në “13 qershori” të Suharekës me tre pikë dallim, ndërsa reprezentuesi në formë i Kosovës ka dalë në skenë në momentet vendimtare, duke shënuar 8 pikë nga 10 pikët e fundit të ekipit të tij, që bënë rikthimin e rezultatit, epërsisë dhe fitores në fund!
Tmusici 31 vjeç kreu ndeshjen me 20 pikë të shënuara, me shut 5/11 për tre pikë prej të cilave dy, në dy minutat e fundit të ndeshjes ndërsa regjistroi edhe 3 asistime e 5 kërcime në fitoren 66-69. Dardan Kapiti luajti me double-double duke dhënë 12 pikë e 14 kërcime, ndërsa 14 pikë shënoi Samuel Hunter.
Ylli, që luftoi mjaft, por në fund “iu dridh dora në shut” pësoi humbjen e katërt sezonale, ndërsa edhe te ekipi suharekas u dallua një reprezentues i Kosovës. Malcolm Armstead në këtë ndeshje luajti pa pushim, 40 minuta të plota në ndeshje, duke shënuar 27 pikë, ndërsa shuti për tre pikë ishte 5/10 me 50% saktësi sonte. Ai bëri edhe 5 asistime e 2 kërcime në këtë ndeshje.
Fitorja bën që Trepça të barazojë pikët me Bashkimin dhe të dalë në krye të renditjes tabelare, duke marrë lidershipin me 7-2, ndërsa Ylli momentalisht është i treti me bilanc 5-4.