E PAPARASHIKUESHME!
Caledonia-Trepça, vizat për MB - arsyeja e moszhvillimit
12 November, 2024 @13:46
Përballja e fundit e Trepçës në kuadër të Grupit në FIBA Europe Cup, që ka qenë në orar të luhet nesër, nuk do të zhvillohet. Dhe, nuk dihet kur do të zhvillohet. FIBA Europe Cup nuk ka dhënë asnjë njoftim, derisa organizatori i ndeshjes Caledonia Gladiators ka publikuar njoftimin për moszhvillim të duelit.
Sipas informatës së dhënë nga ekipi skocez dje, që ka bilanc 2-3 pas 5 ndeshjeve të para në Grupin H dhe nuk ka gjasa për kualifikim tutje, lihet të kuptohet se mitrovicasit kanë pasur probleme administrative për udhëtim, që me shumë gjasa mund të jetë mospajisja me viza për ekspeditën e Trepçës.
“Ndeshja Gladiators vs. Trepça zyrtarisht është shtyer pasi që kundërshtarët kanë pasur probleme të paparapara administrave për udhëtim në Skoci.” — ka shkruar njoftimi i klubit britanik.
Trepça ka bilanc 0-5 në kuadër të Grupit H të FIBA Europe Cup. Mitrovicasit kanë humbur të gjitha ndeshjet e grupit, edhe pse në disa duele veçanërisht si vendas ishin afër me rezultat, por këtë nuk e arritën.
Në anën tjetër ekipi mitrovicas pak më vonë mbrëmë, ka bërë të ditur arsyen e vërtetë, pasi që mospaijisja me kohë me viza britanike ka qenë shkaku.
“Ndeshja e xhiros së VI ne kuadër të grupit H në mes të Caledonia Gladiators dhe Trepca e planifikuar të zhvillohet me datë 13.11.2024 është shtyer për një datë tjetër si pasojë e vonesave administrative në procesim të vizave hyrëse për Britani të Madhe.” — ka shkruar KB Trepça.
Klubet e Kosovës, në sporte të ndryshme në përgjithësi, kanë pasur deri vonë telashe me pajisje me viza udhëtimi. Pasi shteti i Kosovës u liberalizua këtë vit, sadopak kjo gjë u lehtësua. Por, tash të njëjtat telashe po vazhdojnë me shtete të përfshira në Britaninë e Madhe, që kërkojnë vizë udhëtimi.