LARGOJNË DY AMERIKANËT
KB Prizreni ndërpren bashkëpunimin me Arnold dhe Spencer
13 November, 2024 @0:01
Skuadra prizrenase e basketbollit, KB Prizreni ka bërë të ditur sot se ka ndarë rrugët me dy basketbollistë të huaj të saj, Wayne Arnold dhe Trevon Spencer. Pa dhënë shpjegime shtesë, skuadra bardhezi nga Prizreni që është e parafundit në renditje tabelare ka bërë të ditur se me marrëveshje të dyanshme klubi ka ndërprerë bashkëpunimin me lojtarët në fjalë.
“KB Proton Cable Prizreni njofton se, me marrëveshje të dyanshme, ka ndërprerë bashkëpunimin me Wayne Arnold dhe Trevon Spencer.
Të dy lojtarët i falënderojmë për përkushtimin e tyre në klub dhe i’u urojmë çdo të mirë dhe suksese të mëtejshme në karrierë.” — ka shkruar njoftimi i KB Prizreni botuar sot.
Si duket, performanca jo e pritur e dyshes dhe rezultatet jo të mira të skuadrës së drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati, kanë bërë që klubi të largojë amerikanët.
Wayne Arnold kishte mesatare prej 11.8 pikësh, 1.9 asistimesh e 4.2 kërcimesh për ekipin, ndërsa Trevon Spencer luajti me 4.7 pikë e 1.1 kërcime për ndeshje. Arnold u paraqit në 9 ndeshje ndërsa kishte mesatare prej 26.4 minutash për lojë, kurse Spencer luajti me mesatare prej 10.9 minutash për lojë.
Prizreni deri tash ka bilanc 2-7 në Superligë dhe është i parafundit në renditje tabelare. Në xhiron e radhës, Prizreni luan derbin lokal ndaj Bashkimit, në cilësi të mysafirit.