Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PAS 4 HUMBJESH!

Prizreni rikthehet te fitorja

TOPSPORTI/ A. Paçarizi

Prizreni rikthehet te fitorja


8 December, 2024 @19:03

Pas katër humbjeve radhazi, KB Prizreni i drejtuar nga trajneri Arbnor Rifati i është kthyer fitores në Superligë, mjaftueshëm për të dalë nga fundi i renditjes tabelare.

Ekipi bardhezi nga Prizreni ka arritur të mposhtë Vëllaznimin sonte në “Sezai Surroi” duke fituar ndeshjen 80-70. Pjesa e parë e ndeshjes shkoi thuajse barabartë, kur ekipet shkuan në pushim 36-37 në të mirë të mysafirëve të drejtuar nga Jeronimo Sarin.

Mirëpo, në pjesë të dytë një Prizren më i vendosur për fitore bëri dallimin dhe duke fituar dy çerekët e mbetur me 8 dhe 3 pikë dallim, përkatësisht, arriti te fitorja.

TABELA AKTUALE

Lenzelle Smith ka qenë më i dalluari te fitorja e Prizrenit. Ai kreu lojën me double-double, ndërsa i munguan vetëm 2 asistime për të kryer ndeshjen me triple-double! Smith shënoi 25 pikë, bëri 8 asistime dhe 10 kërcime në fitore.

Edmond Kryeziu luajti me 20 pikë në fitore, duke shënuar 4 nga 10 tentimet e tij për tre pikë në ndeshje, kurse me 19 pikë u dallua i ardhuri i ri në ekip, Darryl Jordan.

KB Vëllaznimi

Te ekipi nga Gjakova, që në pjesë të dytë nuk arriti t’i kundërvihet më shumë vendasve, koshashënuesi më i dalluar i ekipit ka qenë Trey Anderson që dha 16 pikë, kurse i bëri edhe 12 kërcime për të mbaruar ndeshjen me double-double. Pos tij, vetëm edhe Michael Nuga ka shënuar pikë dyshifrore, duke dhënë 15 pikë. Nuga bëri edhe 6 asistime e 5 kërcime në këtë përballje.

Fitorja bën që Prizreni të bëhet me bilanc 3-8 pas 11 ndeshjesh të zhvilluara dhe të postohet në pozitë të parafundit në tabelë, ndërkaq Vëllaznimi tash është me bilanc 4-7 dhe është një pozitë më lartë sesa kundërshtari i sotëm në renditje të Superligës.


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga