TEUTA - PRIZRENI'16

Davis 49 pikë, Prizreni’16 fiton dramën ndaj Teutës
17 March, 2022 @21:21
Basketbollisti amerikan i Prizrenit’16 Darrell Davis ka shënuar 49 pikë në 45 minuta të lojës, për ta ndihmuar ekipin e tij në fitore të rëndësishme në kuadër të Ligës Unike ndaj Teutës, 103-110 [23-19, 15-25, 16-24, 40-26, 9-16].
Një ndeshje që në çerekun e tretë dha sinjale se Prizreni’16 i Arbnor Rifatit do të shkonte lehtë drejt fitores në 10-minutëshin e fundit të lojës së rregullt.
Mirëpo, ekipi i Melzin Lazimit ka treguar një saktësi mahnitëse dhe me 40 pikë të shënuara në çerekun e katërt të lojës karshi 26 të pranuarave kanë barazuar ndeshjen për ta çuar atë në vazhdime.
E aty Prizreni’16 kaloi pak më lehtë, duke pasur parasysh që 5 lojtarë të Teutës i bënë nga 5 gabime personale (të pestit të huaj) dhe fitoi ndeshjen.
Sa i përket performancave të lojtarëve, Davis pos 49 pikëve bëri edhe 10 kërcime, 4 topa të rrëmbyer, 4 asistime dhe një bllokadë në këtë lojë, që ia garantoi Prizrenit’16 vendin e tretë në Ligë Unike në fund të stinorit të rregullt.
Te ekipi durrësak, që ka në skuadër shtatë të huaj, Nasir Core luajti me 33 pikë e 7 asistime, duke qenë më i miri te Teuta. Kurse me 16 pikë tjera u dallua Frenki Lilaj, që bëri edhe 6 kërcime në ndeshje.
Me fitore, Prizreni’16 ruan pozitën e tretë në Ligën Unike një xhiro para fundit të saj dhe tash ka bilanc 8-5, ndërsa Teuta 6-7.
LIGA UNIKE, MESHKUJT - TABELA AKTUALE:
1 | KB Ylli | 12-1 | ||
2 | KB Peja | 9-4 | ||
3 | KB Prizreni'16 | 8-5 | ||
4 | KB Rahoveci | 6-7 | ||
5 | KB Teuta | 6-7 | ||
6 | KB Tirana | 6-7 | ||
7 | KB Vllaznia | 3-10 | ||
8 | KB Kamza | 2-9 |