Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

HENDBOLL

Drenica rrezikon ekzistencën

Drenica rrezikon ekzistencën


18 August, 2014 @13:31

Njëra prej skuadrave më stabile të stinorit të kaluar në Superligën e Kosovës në hendboll, KH Drenica, ka hyrë në një krizë të thellë financiare.

Ekipi nga Drenasi rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në garat e sivjetme kampionale, ndërsa nëpërmjet një komunikate për media nga klubi kuqezi, shpëtimi i vetëm shihet të jetë ndihma që do të duhej të vinte nga Komuna e Drenasit.

Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të lëshuar nga KH Drenica:

“Klubi i hendbollit “Drenica” nga Drenasi është i rrezikuar të mos startojë në edicionin e ri të garave në Superligën e Kosovës, shkaku i mospërmbushjes së zotimeve financiare nga ana e Komunës.

Goditja ndaj klubit më të vjetër dhe më të suksesshëm të komunës vjen pas një kampionati të suksesshëm, kur arritëm të pozicionohemi në vendin e katërt dhe të shkojmë në playoff. Suksesi është arritur edhe përkundër vështirësive financiare dhe përkundër faktit se, në mungesë palestre, të gjitha ndeshjet i luajtëm në terren të huaj.

Klubi është zhytur në borxhe, shkaku që stinorin pranveror veprimtarinë e vet sportive e ka zhvilluar duke llogaritur në vendimin e Asamblesë Komunale të muajit mars, për të na ndarë 15 mijë euro. Vetëm 4 mijë euro nga këto i ka alokuar në xhirollogarinë e klubit. Për pasojë, nuk ka qenë e mundur të shlyhen obligimet financiare ndaj lojtarëve dhe as të shlyhen borxhet e udhëtimit dhe ushqimit. Me ato 4 mijë euro, vetëm janë bërë pagesat ndaj referëve dhe personave tjerë zyrtarë, si dhe pagesa e palestrës ku kemi zhvilluar lojërat si vendas.

Epilogu i gjithë kësaj situate ka bërë që të mos startohet akoma me stërvitje, që ishin planifikuar të nisnin që para dy javësh. Klubi i ishte gëzuar hapjes zyrtare të palestrës së sportit në Drenas, e bërë në mënyrë ceremoniale dy muaj më parë, por autoritetet komunale nuk e kanë vënë në dispozicion atë për ne. Të vetmit që mund të luajnë në këtë palestër janë nëpunësit e komunës.

Në planifikimet buxhetore për vitin 2014, Komuna e Drenasit kishte paraparë t’ia ndante klubit të hendbollit “Drenica” gjithsej 25 mijë euro për të dyja sezonet. Tani, autoritetet kompetente të komunës kanë shuar shpresat se do të përmbushin këto zotime.

Ne jemi të shokuar nga ky përcaktim.

Ne kishim një ëndërr për këtë kampionat – të ishim kandidat serioz për Titull. Të gjithë ishim përgatitur shpirtërisht për këtë: edhe lojtarët, e edhe zyrtarët e klubit. Ishin përgatitur edhe tifozët, që prej tani kanë një palestër ku do të mund të ndiqnin përballjet si vendas.

Por, ëndrra do të shuhet në start të kampionatit, për fajin e Komunës. Komuna ka përmbushur zotimet financiare për të gjitha klubet tjera. Madje, i ka tejkaluar për disa, sikur është rasti i klubit të futbollit “Ferronikeli”. Dhe, ne tani besojmë se qëllimshëm zyrtarët lokalë bëjnë këtë injorim dhe duanë ta shuajnë veprimtarinë e klubit më të vjetër (1962) dhe më të suksesshëm të Drenasit.

Ne ftojmë Komunën të reflektojë. Ekzekutivi komunal duhet të ndërmarrë masa dhe t’i përmbahet vendimit të Asamblesë për të përmbushur obligimet ndaj klubit të hendbollit “Drenica”.

Përndryshe, vijimi i garave bëhet i pamundur. Klubi nuk do të mund të startojë në kampionatin e sivjetmë të Superligës dhe nuk do të jenë vetëm seniorët që do të pësojnë. Janë edhe tri grupmoshat tjera: juniorët, kadetët dhe pionierët. Pra, janë afro 80 lojtarë, nga ta edhe anëtarë të Reprezentacionit të Republikës së Kosovës.”


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera