Pranimi në KON

BOROZANI/ Reuters
Federatat kosovare përgëzojnë KOK-un
22 October, 2014 @21:11
Pranimi i përkohshëm i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (KON) është përcjellur si lajm shumë i mirë nga federatat sportive të Kosovës, e në veçanti të asaj të hendbollit dhe të basketbollit.
Kështu, menjëherë pas zyrtarizimit të lajmit për pranim në KON, FHK dhe FBK kanë dalë me komunikata nëpërmjet faqeve të tyre zyrtare duke e uruar Komitetin Olimpik të Kosovës për arritjen e qëllimeve.
“Lajm shumë i mirë për sportin e Kosovës. Federata e Hendbollit e Kosovës i uron Komitetin Olimpik te Kosovës këtë sukses të jashtëzakonshëm. Shprehim uratat për të gjithë sportdashësit dhe insitucionet tona për këtë arritje.
Na vie mirë që pas pranimit të FHK-së me të gjitha të drejtat, për sportin kosovar u hap edhe një portë e madhe e suksesit, pranimi i KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar. Urime,” është shkruar në faqen zyrtare të federatës së hendbollit.
Ndërsa federata e basketbollit gjithashtu e ka uruar KOK-un dhe kontribuesit e tjerë, duke shprehur bindjen se ky pranim do të hap edhe dyert për ndërkombëtarizim edhe të federatave të tjera.
“FBK uron drejtuesit e KOK-ut, Ministrin e Sportit z.Memli Krasniqi dhe të gjithë sportistët e Kosovës për këtë arritje të madhe.
Në FBK jemi të bindur se ky pranim do të hap derën për të gjitha federatat tjera sportive që më me ngulm të kërkojnë ndërkombëtarizimin dhe do të shënojë një fillim të një etape të re në sportin e Kosovës”.