HENDBOLL
FHK drejt pranimit të plotë
18 September, 2014 @17:51
Federata e Hendbollit të Kosovës brenda këtyre dy ditëve mund të pranohet me të drejta të plota në Federatën Europiane të Hendbollit (EHF) dhe Federatën Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF).
Më 19 dhe 20 shtator do të mbahet Kongresi i 12-të i EHF-së në Dublin, ku prezent do të jenë delegatë të 50 federatave europiane.
Në këtë Kongres, përveç se do të bëhet hedhja e shortit për Kampionatin Botëror për U21 te meshkujt dhe për EURO 2015 për U17 dhe U19 te femrat, do të votohet edhe për pranimin me të drejta të plota të FHK-së.
Siç njofton federata kosovare, mënyra e votimit do të jetë elektronike dhe për pranimin e plotë të saj në EHF duhet të arrihet shumica e thjeshtë (50% e delegatëve plus një votë) e delegatëve pjesëmarrës të 50 shteteve anëtare të Federatës Europiane të Hendbollit
Në bisedat dhe kontaktet të delegacionit kosovar në Dublin, është vërejtur një atmosferë shumë pozitive nga të gjitha personalitetet e kontaktuara për mbështetjen e Kosovës.
Federata e Hendbollit të Kosovës në këtë Kongres po përfaqësohet nga delegacioni i përbërë nga presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini, nënpresidenti, Nebih Zariqi, anëtari i Bordit, Faruk Mujka, sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci, si dhe ish kryetari i FHK-së, Mexhit Devaja.