GJYSMËFINALA 4: PRISHTINA - TREPÇA

Foto: KB Trepça / FB
Fitore në kryeqytet, Trepça në finale!
30 April, 2025 @21:14
Trepça në finale!
Kampionja në fuqi e Kosovës shënoi sonte fitore në ndeshjen e katërt të serisë gjysmëfinale ndaj Prishtinës, për ta fituar këtë seri 3-1 dhe për ta arritur finalen.
Takimin e sontëm në kryeqytet Trepça e fitoi me rezultat 80-84.
Ndeshja filloi mjaft mirë për Trepçën, që e fitoi çerekun e parë 18-29, para se prishtinasit të zgjoheshin në të dytin, të cilin e fituan 27-19, për një përmbyllje të pjesës së parë me rezultat të ngushtë, 45-48.
Çereku i tretë i përballjes ishte turpërisht i dobët dhe përfundoi me vetëm 19 pikë të shënuara, 9-10 për Trepçën. Kështu çereku vendimtar nisi pranë rezultatit 54-58 në të mirë të mysafirëve.
E në 10-minutëshin e fundit, Trepça e menaxhoi mjaft mirë lojën dhe arriti fitoren që e çon në finale, ku synimi do të jetë mbrojtja e titullit.
Vlen të përmendet që Prishtina e ngushtoi deri në dy pikë rezultatin në sekondat e fundit të ndeshjes, por Trepça me përvojë nuk lejoi përmbysje dhe e mbylli ndeshjen me fitore.
Më i miri te Prishtina sonte ishte Ricky Tarrant me 16 pikë, ndërsa te Trepça dyshja Cotton & Myers ishte fantastike. I pari sonte luajti me 18 pikë, 7 kërcime e 7 asistime, kurse Michael C. Myers pati gjithsej 17 pikë. Ai shtoi edhe 15 kërcime, duke vazhduar formën fantastike personale përgjatë gjithë kësaj serie.
Në finale, Trepça e pret fituesin e përballjes mes Pejës e Bashkimit, ku për momentin Bashkimi udhëheq 2-1 në seri, e ndeshja e katërt e serisë luhet nesër mbrëma në “Karagaç”.