AUTO SPORTS
Gara “Kulla 2018” zgjon interesim
Teksti: FASK
30 August, 2018 @17:32
Federata e Auto Sporteve e Kosovës (FASK) në bashkëpunim me Auto Klubin Eurogoma RT dhe AK Peja Visari i ka bërë të gjitha përgatitjet për garën më të rëndësishme të auto sportit në Kosovë, Kulla 2018, e cila do të mbahet në këtë fundjavë.
Bëhet fjalë për garën e katërt të disiplinës malore në kuadër të Kampionatit të Kosovës, por që e veçanta e saj është se poentohet edhe në FIA CEZ| (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit për Zonën e Evropës Qendrore).
Interesimi për pjesëmarrje është shumë i madh dhe tashmë është konfirmuar ardhja e garuesve nga Mali i Zi e Polonia, garues të cilët gjenden në kreun e renditjes në FIA CEZ, por që është e sigurt edhe ardhja e garuesve nga vende tjera të rajonit.
Risi e kësaj gare do të jetë fakti që zyrtarët dhe garuesit do të akomodohen në hotelet e Pejës në mënyrë që të jenë më afër shtegut, ndërsa menaxhimi i garës do të bëhet në bashkëpunim edhe me ekipin nga Federata e Auto Sportit e Malit të Zi.
Të premten nga ora 16:00 – 19:00, në Eurogoma, në dalje të Pejës në rrugën për Prishtinë, do të bëhet kontrollimi teknik i veturave dhe verifikimi i dokumentacionit, të shtunën do të ketë paraqitjes shtesë në garë, ndërsa që nga ora 12:00 nis vozitja e parë (provuese), për të vijuar me të dytën në orën 14:00. Të dielën, në orën 11:00 bëhet ceremonia e hapjes zyrtare të garës, ndërsa vozitja e parë nis në orën 12:00.
FASK kërkon mirëkuptim nga qytetarët, pasi aksi rrugor Radavc – Kullë në një pjesë të mirë të kohës gjatë dy ditëve të fundjavës do të jetë e mbyllur për veturat civile, por që në intervale të caktuara do të lirohet, në mënyrë që pritjet të jenë sa më të shkurta.
Policia e Kosovës, Ndihma e Shpejtë dhe Brigada e Zjarrfikësve do të asistojnë në mbarëvajtjen e garës, ndërsa është e sigurt që edhe numri i dashamirëve të auto sportit do të jetë shumë i madh.