Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Gjermania dhe Spanja në garë për fronin e Evropës!

Foto: Sascha Klen/ EHF

Gjermania dhe Spanja në garë për fronin e Evropës!


Shkruan: Blerim MYFTIU

30 January, 2016 @10:15

Gjysmëfinalja ndërmjet Gjermanisë dhe Norvegjisë ishte me gjasë ndër ndeshjet më të bukura dhe më konkurruese të Kampionatit Evropian në hendboll. Nëse fitorja e Kroacisë ndaj Polonisë paraqiti çudinë aritmetikore dhe mrekullinë e numrave, ky ishte një duel i fortë, i ashpër, që ndonjëherë shtyn të mendohet se hendbolli, posaçërisht ai skandinav është ekuivalenti i futbollit amerikan në Evropë.

Dallimi ndërmjet Gjermanisë dhe Norvegjisë nuk doli në pah pas 60 minutave të rregullta – koha e rregullt përfundoi 27:27. U deshën 10 minuta shtesë dhe vetëm 2 sekonda para përfundimit, goli i Kai Häfnerit krijoi diferencën me të cilën Gjermania u kualifikua në finalen e saj të tretë (më 2002 nënkampione dhe 2004 kampione). 

Nga mesi i gjysmës së parë Gjermania e pati shkëputjen më të lartë prej 9:5, Norvegjia nuk shënoi gol plot 7 minuta. Pastaj doli në skenë portieri norvegjez, Ole Erevik dhe në kombinim me golat e anësorit Espen Lie Hansen, në minutën e 27-të Norvegjia kaloi në avantazh 13:12. Golashënuesi më i mirë i ndeshjes, gjermani Tobias Reichmann (10 gola), u përkujdes që pjesa e parë të përmbyllej me avantazhin 14:13 për Gjermaninë. 19:17 ishte shkëputja më e madhe norvegjeze duke i lënë vend më pas ndërrimit të vazhdueshëm të epërsisë dhe një varg barazimeve që nuk u prishën deri në sekondat e fundit të minutës së 69-të. 

 

Kaq e kishte Kroacia, rasti i katërt për Spanjën

Ekipi i rinovuar i Kroacisë, pas mrekullisë kundër Polonisë dhe kualifikimit “befasues” në gjysmëfinale, dukej se kishte arritur limitin e mundësive. Që në fillim të ndeshjes Kroacia krijoi epërsi 4:1. Epërsinë e mbajti deri në minutën e 22-të kur ishte 13:10. Mirëpo, 8 minutat e fundit ishin fatale dhe në anën tjetër vendimtare për fitoren e spanjollëve. Tri gola të shpejta, 2 nga kundërsulmet, e shkrinë epërsinë brenda një minute, Spanja kaloi në epërsi 14:13 dhe golat e Riveras, Ugaldes dhe Aguinagaldes mundësuan që Spanja ta përmbyll pjesën e parë me 18:14 epërsi. 

Në dy raste në pjesën e dytë Kroacia u afrua në minus 1 gol, por mbrojtja, shpejtësia dhe gjendshmëria e lojtarëve të Spanjës ishte më e shprehur. Me 33:29, Spanja e arriti finalen e katërt, ku pas 3 medaljeve të argjendta (e fundit më 2006), do të shpresojë për të artën e parë. Valero Rivera dhe Antonio Garcia e përmbyllën ndeshjen me nga 6 gola.

Norvegjia-Kroacia luajnë të dielën prej 15:00 për vendin e tretë dhe biletën kualifikuese direkte për Kampionatin botëror të vitit të ardhshëm në Francë. Finalja Spanjë-Gjermani luhet në 17:30 në Krakov.


Video

SPANJA-KROACIA


GJERMANIA-NORVEGJIA



 
Të gjitha lajmet nga Të tjera