BRISBANE INTERNATIONAL
Hewitt mposht Federerin në finale
5 January, 2014 @11:04
Australiani Lleyton Hewitt ka arritur fitoren e parë në një turne që nga viti 2010 sot. Ish numri një i botës, Hewitt, tash i 60 në renditjen e përgjithshme botërore ka arritur që me luftë të madhe të mposht legjendën e tenisit zviceran, Roger Federer në finale të Brisbane International, 2-1 në sete.
Hewitt ka pasur një start të furishëm, duke humbur vetëm një pikë gjatë shërbimeve të tija dhe duke thyer Federerin tre herë në shërbime, të shumtën e herave me kthime mahnitëse.
Zvicerani bashkëmoshatar me kundërshtarin e tij 32 vjeçar, ka kthyer gjërat në vend në setin e dytë. Ai e gjeti vetën në shërbimet e tij dhe duke e sulmuar Hewittin barazoi ndeshjen.
Edhepse Federer ishte ai që duhej të fitonte ndeshjen në setin e fundit, duke pasur shtatë ‘break point’ u ndalë nga i inspiruari në vendlindje Hewitt. Hewitt i shpëtoi të gjitha këto, derisa iu dha rasti të shërbejë për të fituar ndeshjen.
Kjo ka qenë fitorja e parë në një turne të Lleyton Hewittit që nga viti 2010, kur kishte fituar turneun në bar në Gjermani në Halle. Njeriun që e kishte mposhtur në finale - ka qenë po i njejti si sot, legjenda zvicerane, Roger Federer.