EYOF 2017: GYOR
Laura Fazliu e pa fat, mbetet pa medalje
27 July, 2017 @22:48
Kanë ardhur fitoret e para për Kosovën, por jo edhe medaljet. Xhudistja, Laura Fazliu, shënoi dy fitore në kategorinë deri në 63 kilogram, por më pas pësoi dy humbje, që ia pamundësuan fitimin e medaljes së bronztë në Festivalin Olimpik Evropian për të rinj (EYOF), “Gyor 2017”.
Ajo u mund në duelin për vendin e tretë nga sllovenja, Zarja Tavcar, në sekondat e fundit të luftës.
Fazliu rrethin e parë e kaloi pa luftë, kurse në të dytin mposhti italianen, Elisa Toniolo. Më pas, në çerekfinale triumfoi ndaj garueses nga Luksemburgu, Anetta Mosr.
Në gjysmëfinale u takua me gjeorgjianen, Mariam Tchanturia, nga e cila humbi me ippon pas shënimit të artë, luftë kjo që zgjati gati 10 minuta.
Pavarësisht se nuk fitoi medalje, Laura arriti rezultatin më të mirë deri më tani, nga i gjithë ekipi olimpik në “Gyor 2017”.
Sot garoi edhe xhudisti tjetër, Arbër Kullashi, në kategorinë deri 73 kilogram. Ai pësoi dy humbje. Së pari u mund në rrethin e parë nga hungarezi Gergely Nerpel. Më pas ai u takua në repesazh me serbin, Dimitrije Nedeljkoviç, nga i cili humbi në sekondat e fundit.
Të premten garon edhe Shpat Zekaj në kategorinë deri në 90 kilogram, i cili mbetet shpresa e vetme për momentin për të fituar medalje.