Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

KOSOVA NË RIO

Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova prezantohen nga ‘Judo Inside’

Foto: JudoInside

Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova prezantohen nga ‘Judo Inside’


2 August, 2016 @12:40

Në prag të fillimit të Lojërave Olimpike “Rio 2016”, një nga webfaqet më të njohura të xhudos, ‘JudoInside’, ka prezantuar Majlinda Kelmendin, xhudisten më të mirë në botë dhe shpresën kryesore të Kosovës për t’u kthyer nga Brazili me medalje të artë olimpike dhe Nora Gjakovën, xhudisten tjetër të suksesshme që e përfaqëson Kosovën në Brazil këtë vit.

JudoInside ka shpjeguar faktin që Majlinda për herë të parë do ta prezantojë Kosovën në Lojëra Olimpike, duke marrë parasysh faktin që herën e fundit, në Lojërat Olimpike që u zhvilluan në Londër, Majlinda Kelmendi e përfaqësoi Shqipërinë, pasi që Kosova ende nuk kishte të drejtë paraqitjeje.

Ambasadorja më e mirë e Kosovës ishte kampione e Botës në vitin 2013 dhe 2014, kampione e Evropës në vitin 2014, ndërsa sukseset e saj vazhduan edhe me suksesin e dyfishtë në ‘Grand Slam-et’ e Parisit, ngjarja më e madhe në sportin e xhudos, në vitet 2015 dhe 2016.

Përveç Majlindës, në xhudo Kosova do të përfaqësohet edhe nga Nora Gjakova, e cila në vitin 2015 ishte xhudistja e tretë më e mirë në Evropë. Për më tepër, Gjakova ka fituar edhe 3 ‘Continentals Open’, 2 herë në Tunizi e 1 herë në Portugali. Gjithsej, ajo ka 11 medalje të nivelit botëror. Sa i përket vitit 2016, Nora Gjakova ka fituar medalje të bronztë në Havana dhe medalje të argjendtë në Tbilisi të Gjeorgjisë.

Trajner i të dyja xhudisteve është Driton Kuka, ndërsa pritshmëritë për sukses në ‘Rio2016’ nga të dyja janë të mëdha.


 
Të gjitha lajmet nga Të tjera