PRIZREN

Malazezi Jovovic emërohet trajner i Bashkimit
3 July, 2025 @21:58
Duke nënshkruar kontratën, një fotografi me drejtorin Qëndrim Biraj, ka qenë postimi i Bashkimit që zyrtarizoi Igor Jovovicin si kryetrajner të ekipit për stinorin 2025/26.
Malazezi që në tetor mbush të 43-tat, ka përvojë të rëndësishme në basketbollin rajonal dhe evropian, veçanërisht për tu theksuar koha si ndihmës-trajner i Bayern Munchenit në BBL dhe Euroleague, gjatë stinorit 2019/20. Telekom Baskets Bonn gjithashtu ekip me emër në Bundesligën gjermane, ndërsa së fundi ka punuar në Kazma të Kuvajtit.
I lindur në Podgoricë, Jovovic do të ketë punë të rëndësishme te Bashkimi, ekip ky që arriti deri në finale të playoffit në stinorin e kaluar. Bashkimi kishte kryer stinorin e rregullt në vend të parë, por në finale nuk arriti që ta shfrytëzojë epërsinë e terrenit vendas, për të humbur luftën për titull kampioni.
Këtë stinor, pritet të shihet se cilat do të jenë lëvizjet e Bashkimit në bashkëpunim me Jovovicin, të cilët së paku do të kërkojnë arritjen përsëri në TOP-2 të stinorit të rregullt. Jovovic para Kuvajtit, për 4 stinorë punoi te Mitteldeutscher.