AUSTRALIAN OPEN
Maratona e Wawrinkës, eliminohet kampioni Djokovic
21 January, 2014 @13:36
Janë dashur fiks katër orë të plota për të nxjerrë gjysmëfinalistin e dytë të Australian Open. Zvicerani Stanislas Wawrinka ka arritur të mposht mbretin e tre viteve të fundit në Melbourne, serbin Novak Djokovic, duke e mposhtur pas 5 seteve 3-2.
Me 16 asa në ditën e nëntë të turneut, duke i falenderuar trajnerit të tij, Magnus Norman, Wawrinka ka arritur të përmirësojë qetësinë dhe vetëbesimin e tij në momente kyqe për të arritur gjysmëfinalen e dytë në Grand Slame në karrierën e tij.
Serbi Novak Djokovic ka luftuar shumë, por në fund ka qenë i pafuqishëm karshi zviceranit, pasi që e humbi ndeshjen në saje të gabimeve të tij.
Djokovic ka qenë kampion i trefishtë i viteve të fundit në Australian Open dhe pas eliminimit të tij sot në çerekfinale, do të thotë që Melbourne, do të ketë një kampion tjetër në vitin 2014.
Zvicerani Wawrinka do të ndeshet me çekun Tomas Berdych në gjysmëfinale, pasi që të dy kanë mposhtur kundërshtarët më mirë të renditur në listën e Australian Open.
“Jam shumë, shumë, shumë i lumtur me fitore. Djokovic nuk dorëzohet kurrë, ka qenë shumë vështirë. Më duhet të pushojë mirë para gjysmëfinales,” kanë qenë fjalët e triumfuesit 28 vjeç nga Zvicra, menjëherë pas eliminimit të Djokovicit.